Boston Celtics u mposhtën në shtëpi nga San Antonio Spurs me rezultatin 100:95. Spurs vazhduan paraqitjet fantastike në sezonin aktual, duke regjistruar fitoren e tyre të 27-të, kryesisht falë ndikimit të Victor Wembanyamas.
Francezi e nisi ndeshjen nga stoli dhe kishte minuta të kufizuara, por sërish ishte vendimtar, duke regjistruar 21 pikë, gjashtë ribaunde dhe tre bllokime. Stephon Castle ishte po ashtu në nivel të lartë, me 21 pikë, nëntë ribaunde dhe gjashtë asistime.
Te Bostoni, lojtari më i dalluar ishte Derrick White, i cili realizoi 29 pikë dhe shpërndau nëntë asistime, por performanca e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.
Spektakël i vërtetë u pa në përballjen mes Utah Jazz dhe Charlotte Hornets, ku kjo e fundit triumfoi bindshëm me shifrat 150:95. Në një statistikë të rrallë, plot nëntë basketbollistë të Charlotte patën shënim dyshifror.
Brandon Miller ishte më efikasi me 18 pikë, ndërsa LaMelo Ball shtoi 17. Miles Bridges dhe Collin Sexton kontribuuan me nga 15 pikë secili.
Te Utah, Brice Sensabaugh ishte më i dalluari me 26 pikë, ndërsa Jusuf Nurkić nuk ishte pjesë e ekipit për shkak të një lëndimi në këmbën e majtë.