Një tjetër mbrëmje e shënuar (20.00).
Do të luhet sonte një tjetër episod I El Klasikos, I duelit më të madh të futbollit botëror, atij mes Barcelonës dhe Realit, në finalen e Superkupës së Spanjës.
Katalanasit, kampionë të Spanjës në fuqi dhe fitues gjithashtu të trofeut që dorëzohet sot, cilësohen favoritë, ndonëse kur luhet derbi parashikimet nuk vlejnë.
Rivalët e mëdhenj ndeshen sonte në orën 20:00 në stadiumin e Mbretit Abdullah në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Xheda, dhe “blaugranët” pritet të kenë titullar talentin më të madh të botës, Lamin Jamalin.
Adoleshenti I tmerrshëm hyri si zëvendësues në gjysmëfinalen ndaj Atletik të Bilbaos, të fituar tepër thellë 5-0.
Forma e Barçës është e madhe ndonëse trajneri Hansi Flik bën thirrje se ndaj Realit do të jetë shumë e vështirë.
Arauho është kthyer, Gavi mungon ashtu si portieri Ter Shtegen, ndërsa Levandovski mund ta nisë nga stoli.
Po Reali?
Lajmi I mirë është që Kilian Mbape është gati pasi mungoi I dëmtuar në gjysmëfinale.
Madrilenët vërtet janë 15 herë kampionë të Europës, por nuk po luajnë aq mirë sa rivali, dhe trajneri Shabi Alonso ende nuk ka krijuar një skuadër të vërtetë.
Edhe fitorja 2-1 ndaj Atletikos në gjysmëfinale, në derbin e Madridit, nuk ngrohu shumë, edhe pse rriti ndjeshëm moralin.
“Një finale e 10-ve, – titullon “AS” nga Madridi, – Mbape që ishte I dëmtuar, dhe Lamin që ishte rezervë, ndezin Superkupën!”
“El Mundo Deportivo” nga Katalonja ka në kopertinë foton e trajnerëve Flik e Alonso me trofeun e Superkupës mes tyre: Superfinale!”
Po flasim për Superkupën më të pasur në histori, me shpërblim prej 23 milionë eurosh për katër ekipet pjesëmarrëse, duke thyer rekordin e 19 milionë eurove vitin e kaluar.
Fituesi I trofeut do të marrë plot 12 milionë euro, ndërsa të tjerët më pak.