Eduart Temaj – doktorant në Charite shembull i brezit të tretë të diasporës shqiptare

- Bota Sot

Eduart Temaj – doktorant në Charite shembull i brezit të tretë të diasporës shqiptare

Eduarti është shembull i një mjeku të ri që bashkon pasionet personale me profesionin, duke kontribuar në një qasje më ndërdisiplinore të mjekësisë.

Shkollimi i të rinjve tanë në diasporë është një mision fisnik dhe jetik. Tash nuk është si dikur. Siç dihet, shqiptarët që nga fillimi i viteve ’70 të shekullit XX emigruan dhe punuan kryesisht si punëtorë pa diploma, duke bërë sakrifica të mëdha për ta mbajtur gjallë Kosovën jashtë vendit – ky ishte brezi i parë.

Brezi i dytë, pas viteve ’90, u përgatit për luftë dhe mbështeti çlirimin e vendit, duke luajtur rol politik dhe aktiv në procese të rëndësishme kombëtare.

Brezi i tretë, për të cilin po flasim sot, janë fëmijët e shqiptarëve të lindur në Kosovë, të migruar në Perëndim (SHBA, Evropë, Angli, Gjermani, Zvicër, Francë, Skandinavi) para dhe pas luftës së viteve 1998/99.

Në thelb, mesazhi i këtij teksti është se diaspora shqiptare ka kontribuar në vazhdimësi në forma të ndryshme, ndërsa brezi i tretë po e bën këtë përmes dijes, shkollimit dhe profesionalizmit, duke shfrytëzuar mundësitë e rritjes në Perëndim.

Ky shkollim nuk është luks, por nevojë – nevojë personale për identitet dhe dinjitet shoqëror. Zatën shoqëria nuk është një turmë e rastësishme individësh; ajo funksionon si një organizëm i gjallë.

Kur normat, vlerat dhe gjuha shkëputen, organizmi sëmuret. Këtë e kanë thënë prej kohësh mendimtarë seriozë të shoqërisë, por duket se disa ende nuk e kanë kuptuar.

Të mohosh apo të neglizhosh rëndësinë e shkollimit të brezave në diasporë, në çdo fushë – pra edhe në mjekësi – do të thotë të pranosh shuarjen graduale të kujtesës kolektive. Kjo nuk është çështje mendimi personal, por përgjegjësi ndaj së ardhmes dhe nuk duhet neglizhuar.

Gjatë një bisede të zhvilluar disa ditë më parë me një mik të vjetër, Teki Temaj kuptova se Eduart Temaj, djali i tij po kryen doktoraturë në Charité – një nga spitalet universitare më të vjetra dhe më prestigjioze në Evropë. I themeluar në vitin 1710 si shtëpi për të sëmurët nga murtaja, Charité u shndërrua në spital publik në vitin 1727 dhe që nga viti 1810 është qendër e rëndësishme e mësimit dhe kërkimit mjekësor. Që nga viti 2003, ai bashkon fakultetet e mjekësisë të Universitetit Humboldt dhe Universitetit të Lirë të Berlinit. Charité është ndër institucionet më kërkimore në Gjermani dhe gëzon prestigj të lartë ndërkombëtar, me shumë laureatë gjermanë të Çmimit Nobel në Mjekësi të lidhur me të.

Suksesi i Eduartit nuk është aspak i rastësishëm. Pas tij qëndron një familje me formim të fortë profesional dhe angazhim të hershëm shoqëror.

Babai i Eduartit, z. Temaj, është jurist i diplomuar dhe ushtron profesionin në zyrën e tij ligjore në Berlin-Marzahn dhe Treptow-Köpenick. Ai është i licencuar si kujdestar ligjor për përfaqësimin e interesave të palëve të caktuara nga gjykata.

Nga viti 1998 deri në vitin 2005, z. Temaj ka qenë anëtar i Partisë Socialdemokrate Gjermane (SPD) dhe pjesë e Komisionit për Politikë Evropiane dhe Ndërkombëtare në nivelin e Landesverband-it të Berlinit, në Abgeordnetenhaus. Po ashtu, ai ka mbajtur poste drejtuese në LDK, duke shërbyer edhe si nënkryetar i saj në Berlin.

Për më shumë se një dekadë, z. Temaj ka drejtuar si kryetar një organizatë gjermane për këshillim dhe mbështetje të migrantëve, Kontakt und Beratungsstelle für Migranten.

Edhe bashkëshortja e tij ka një profil të spikatur profesional: me studime në inxhinieri, ajo ka punuar fillimisht në Telekom, përpara se të përfundonte studimet në Gjermani dhe të angazhohej më pas si psikologe.

Eduart Temaj, 28 vjeç, duke ndjekur rrugën e prindërve të tij, ka përfunduar studimet në mjekësi në fund të vitit të kaluar dhe ka marrë licencën për të ushtruar profesionin e mjekut.

Gjatë studimeve, ai ka treguar talent të veçantë në neurologji, në të cilën ai shkruan doktoraturën. Tema e doktoraturës së tij trajton efektet e sulmeve cerebrale, proceset e rikuperimit funksional motorik edhe kinematik në modelin e miut, proceset e proliferimit të qelizave pushtuese ose rezidente pas sulmit edhe riorganizimin e rrjeteve neuronale pas dëmtimit edhe gjatë rikuperimit. Qëllimi kryesor është të kuptohet përmirësimi neurologjik dhe motorik pas sulmit cerebral, veçanërisht rikthimi i funksioneve motorike. Pyetja kërkimore është nëse ekziston korrelacion midis ndryshimeve qelizore dhe imunologjike në tru dhe përmirësimit motorik gjatë rikuperimit. Punimi pritet të botohet fillimisht si artikull shkencor dhe më pas si monografi doktorature.

Gjatë studimeve dhe doktoraturës së tij, ai zhvilloi një interes të thellë për kirurgjinë ortopedike dhe traumatologjinë, fusha në të cilat planifikon të specializohet.

Eduart Temaj thekson se një nga sfidat më madhore me të cilat përballen Shqipëria dhe Kosova është largimi i forcës së kualifikuar punëtore, e cila kërkon mundësi punësimi jashtë vendit për shkak të kushteve aktuale ekonomike. Është e domosdoshme që Kosova dhe Shqipëria të ndërmarrin masa politike konkrete për të rritur atraktivitetin e jetesës dhe punësimit brenda vendit për njerëzit që jetojnë aty edhe për diasporën. Deri në arritjen e këtij objektivi, i cili mbart një kompleksitet të lartë dhe kërkon kohë për tu përmbushur, mbetet prioritare mobilizimi i individëve me kompetenca specifike që i nevojiten vendit. Komunikimi, bashkëpunimi dhe transferimi ndërprofesional i njohurive mes diasporës dhe vendeve të origjinës janë jetike, derisa të krijohen kushtet ku emigrimi i specialistëve të mos përbëjë më një problem kritik.

Në fund, duke folur për jetën në mërgim, ai thekson mungesën e organizimit shoqëror të komunitetit shqiptar në Berlin, por mbetet i lidhur ngushtë me atdheun, Hasin e Prizrenit dhe Prizrenin.

Prandaj, nuk duhet të pranojmë paragjykime ndaj diasporës, por as ndaj të rinjve tanë. Dashuria dhe respekti fillojnë me komunikim të sinqertë dhe mirënjohje. Ne nuk jemi thjesht një popull. Ne jemi një komunitet që mbijeton dhe lulëzon kudo që jeton, dhe respekti për njëri-tjetrin është çelësi që na lidh.



Lexoni të gjitha në Bota Sot