Rashica në radarët e Ligue 1, Metalist gati për ta shitur talentin kuqezi

- Bota Sot

Rashica në radarët e Ligue 1, Metalist gati për ta shitur talentin kuqezi

Rritja e Ermir Rashicës nuk ka kaluar pa u vënë re. Sulmuesi 21-vjeçar, i cili mban shiritin e kapitenit te Shqipëria U-21, po shndërrohet në një nga emrat më të përfolur shqiptarë në tregun europian të transferimeve.

Aktualisht pjesë e Metalist në Ukrainë, Rashica ka qenë një nga pikat më të forta të skuadrës këtë sezon. Me 5 gola dhe 3 asistime, ai jo vetëm që ka justifikuar besimin e klubit, por ka tërhequr vëmendjen e skautëve nga kampionate më konkurruese.

Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se klube nga Franca po e monitorojnë nga afër situatën e tij, duke e parë si një investim afatgjatë. Edhe pse Rashica ka kontratë deri në vitin 2028, Metalist pritet të jetë i hapur për negociata, nëse vjen oferta e duhur.

I rritur futbollistikisht në Shqipëri dhe i formuar më tej në Ukrainë, Rashica shihet si një profil modern sulmuesi i shpejtë, teknik dhe me instinkt goli. Mosha e re dhe eksperienca ndërkombëtare e bëjnë atë një emër tërheqës për klubet që kërkojnë talente në zhvillim.

Franca mbetet pista më konkrete për momentin, ndërsa emri i klubit interesuar mbahet ende i rezervuar. Ajo që është e sigurt, është se vera mund të sjellë hapin më të madh në karrierën e Rashicës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot