Futbollisti i ri brazilian, Endrick, e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer aventurën e tij me klubin e ri, Olympique Lyon. Ai shënoi gol në ndeshjen e debutimit dhe dha një kontribut të rëndësishëm në fitoren 2:1 ndaj Lille, në kuadër të Kupës së Francës.
Sulmuesi, i cili është huazuar nga Real Madridi deri në fund të sezonit, u përshtat shumë shpejt me ambientin e ri. Pas përfundimit të ndeshjes, Endrick u shpreh i lumtur që më në fund pati mundësinë të luante dhe tha se përvoja në futbollin francez i ka tejkaluar pritshmëritë e tij.
“Ndjehem shumë mirë, madje edhe më mirë sesa e kisha imagjinuar. U përshtata menjëherë me stilin e lojës dhe bashkëlojtarët më kanë pranuar shumë mirë. Lyon është si një shtëpi e dytë për mua dhe jam shumë i lumtur që jam këtu”, u shpreh braziliani.
Ky fillim pozitiv pritet t’i japë Endrickut më shumë motivim dhe vetëbesim për vazhdimin e sezonit, sidomos pas minutazhit të kufizuar që kishte më parë te Real Madridi.