I pamposhtur – historia e Belgin Jasharit që nuk hoqi dorë nga futbolli

- Bota Sot

I pamposhtur – historia e Belgin Jasharit që nuk hoqi dorë nga futbolli

Historia e Belgin Jasharit është dëshmi se futbolli shpesh nis aty ku askush nuk e pret. Nga një djalosh që mblidhte topat anash fushës, ai u shndërrua në një lojtar që sot flet me besim për të ardhmen, për Barcelonën dhe për fanellën e Kosovës.

Në intervistën për KosovaPress, Jashari rrëfen fillimet e tij modeste, momentet e vështira, mbështetjen vendimtare që mori dhe ëndrrat që e shtyjnë përpara.

Jashari kujton me emocione momentin kur futbolli hyri seriozisht në jetën e tij, në një mënyrë krejt të papritur.

Jashari: Isha mbledhës i topave para se të nisja të luaj futboll

“Me futboll herën e parë kur ia nisa, së pari shkova të shikoj një lojë të Fushë- Kosovë dhe rrija duke i mbledhur topat, kur më pa drejtori i klubit, më thirri sepse unë bëja driblime me top dhe me pyeti ‘kush je, i kujt je, në cilin vend jeton’. I tregova krejt dhe më tha: ‘a munde të vish të luash’? Po, thashë, vetëm më trego kur të filloj. Më tha ‘eja të hënën’. Tani tha, fol me trajnerin, të inkuadron në grupe, se si duhet të shkojë kjo punë, edhe ia fillon. Edhe unë të hënën kur shkova, ia nisa të ushtroj. Mbas një jave ka qenë loja kampionale U19, loja ime e parë, edhe po e shoh në grup emrin tim edhe u gëzova shumë që për një javë ditë me zënë vendin, kjo është mirë për mua. Edhe tani, kur shkova në lojë më inkuadroi startues, e bëra një gol po offside, sepse nuk i dija rregullat mirë. Edhe tani prej atëherë nuk ka ndodhur rasti për me e lënë futbollin”, tha Jashari.

Jo çdo hap në rrugën e tij ka qenë i lehtë. Jashari ndalet te një përballje e vështirë që i la shenjë emocionale. Ai ra pre e fyerjeve raciste në një ndeshje kampionale me klubin e tij Fushë-Kosovën, moment ky që nuk ishte i lehtë të përjetohej e përballohej.

Jashari: Në ndeshjen ku mora fyerje e parandieja se do të ndodh diçka e keqe

“Ishte ndeshje kampionale, ka qenë lojë për tre pikë, aty e dija që diçka nuk do të shkojë mirë edhe e kam ditur, kështu e kam pasur mendjen se kur ka qenë sezonin e parë, i vetmi unë kam i kam dhënë gola Arsenalit... Lojën me Arsenalin kur kemi shkuar, e kam ditur që do të ndodh diçka. Por kur ndodhi ajo gjë, si të them nuk u koncentroja në lojë. Ka qenë gjëja më e keqe që nuk mund të koncentrohesha në lojë edhe kam lyp ndërrim trajnerit. Tani edhe pak që ma vranë këmbën dola prej loje...Kur e ka parë trajneri është habitur, si? Edhe menjëherë e ka publikuar në faqen e klubit, KF Fushë-Kosova”, tha Jashari.

Në një periudhë delikate, mbështetja e duhur bëri dallimin për Belginin. Ai përkrahje të madhe nga komuniteti i gjerë i sportit, e cila kulmoi me takimin me kapitenin e Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmanin, fjalët e të cilit Belgini thotë se e motivuan jashtëzakonisht shumë.

Jashari: Fjalët e Rrahmanit më motivuan shumë

“Kur kemi hy brenda Amir Rrahmani filloi të flas me mua. Më jepte përkrahje dhe motiv. Më bëri të mos e ndal futbollin, sepse këto edhe mua më kanë ndodhur kur kam qenë lojtar në Kosovë. Edhe mua më kanë ndodhur këto gjëra që më kanë ofenduar. Unë i kam larguar prej vetes edhe e kam pasur mendimin vetëm për të arritur. Më ka motivuar shumë Amir Rrahmani me fjalët e tij, kemi qëndruar 10-15 minuta”, rrëfen Jashari.

Talenti i tij në futboll nuk mbeti pa u vënë re. Në vitin e kaluar, Jashari i ftuar në një kamp stërvitor nga gjiganti evropian Barcelona. Aventura atje i shkoi mirë dhe tani ai po pret një ftesë të shpejtë nga klubi spanjoll.

Jashari: Së shpejti pres të ftohem nga Barcelona

“Trajnerit të Barcelonës që e bënte trajnimin me ne, i pëlqeva. Më thoshte topa të kthyeshëm që po i bën, se ne në klubin e Fushë Kosovës luajmë shumë topa të kthyeshëm, me mesfushorë. E atë send e kam unë të mirë, që e kam mësuar. Edhe kur e bëja unë atë send, më linte gjithherë në mes për të luajtur me dy ekipet. Kur ia bëja unë atë topin e kthyeshëm, ma bënte, ‘shumë mirë’, a e praktikon këtë në klubin tënd? Më pyetke sa gola i kam dhënë në sezon, si më ka shkuar edhe i pëlqeva trajnerit. Tash po pres një ftesë prej Barcelonës. Besoj që në janar ose shkurt, besoj që mundet të vijë ajo ftesë”, bën të ditur Jashari.

Ëndrra e madhe e Belgin Jasharit është të luajë për Kombëtaren e Kosovës në futboll dhe ai tashmë pret ftesën nga Dardanët.

Jashari: Nëse Kosova më jep mundësinë, do të jap më të mirën për vendin tim

“Besoj që do jem pjesë e Kosovës edhe tifozëve Dardanë edhe besoj që do të ma dërgojë një ftesë Kosova që të më provojnë si lojtar, çfarë lojtari jam edhe tani unë do të jap më të mirën. Kështu që vetëm besoj që atë ftesë të ma dërgojnë... Për mua është njëherë për njëherë veç Kosova se jam duke u rritur në Kosovë, jam duke u bërë si lojtar edhe nuk mundem tani të toleroj që të shkoj në ndonjë ekip tjetër”, tha Jashari.

Tregimi i Belgin Jasharit është një histori shprese, këmbënguljeje dhe besimi se puna dhe pasioni, edhe kur nisin nga anash fushe, mund të çojnë shumë larg.



Lexoni të gjitha në Bota Sot