Largimi i papritur i Xabi Alonsos nga stoli i Real Madridit ka shkaktuar tronditje në futbollin spanjol. Trajneri u shkarkua pas vetëm disa muajsh në krye të ekipit të parë dhe u zëvendësua nga Alvaro Arbeloa.
Përtej rezultateve zhgënjyese, mediat spanjole flasin për tensione në dhomat e zhveshjes. Sipas Marca, disa lojtarë kyçë, mes tyre Vinicius Junior, Jude Bellingham dhe Militao, nuk kanë reaguar publikisht për largimin e trajnerit, ndryshe nga pjesa tjetër e skuadrës.
Heshtja e Vinicius ka tërhequr vëmendje të veçantë, për shkak të marrëdhënies së tensionuar me Alonson, e cila u përkeqësua pas ‘El Clasico’-s së shtatorit të kaluar. Media sugjeron se braziliani mund të ketë pritur largimin e trajnerit përpara se të vendoste për të ardhmen e tij në klub.
Stili i ftohtë i drejtimit të Alonsos dhe mungesa e unitetit në skuadër duket se kanë lënë gjurmë, duke e bërë largimin e tij një kapitull të mbyllur mes polemikash dhe pak mbështetje nga disa prej lojtarëve kryesorë.