President i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është i tronditur me ikjen në amshim të ish futbollistit të mirënjohur, Agim Zymi.
Ai ka ndërruar jetë në moshën 75- vjeçare.
“Telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Agim Zymit!
E nderuara Familje Zymi, me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Agim Zymi, ndaj në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.
Agim Zymi ishte një personalitet i shquar dhe një ndër futbollistët më të dalluar të KF Prishtina në vitet e 70-ta.
Si pjesë e pandashme e skuadrës bardhekaltër që garonte në Ligën e Dytë të ish-Federatës, ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit tonë. Duke luajtur krah emrave tjerë të mëdhenj të asaj kohe, Agimi shfaqi jo vetëm talentin e tij të rrallë, por edhe një përkushtim të palodhur ndaj ngjyrave të klubit të zemrës.
Në këto momente dhimbjeje, jemi pranë jush për të përballuar këtë humbje të madhe, e cila prek jo vetëm familjen tuaj, por të gjithë ata që e njohën dhe e deshën përmes fushës së gjelbër.
Emri dhe trashëgimia e Agim Zymit do të mbeten përgjithmonë në analet e historisë së KF Prishtina dhe në kujtesën e futbollit tonë.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”, shpreh ngushëllime Agim Ademi.