Pogba më larg ëndrrës së Botërorit

- Bota Sot

Pogba më larg ëndrrës së Botërorit

Paul Pogba, kampion i botës me Francën dhe njëri nga mesfushorët më të njohur të brezit të tij, po e përjeton një tjetër pengesë të madhe në karrierë, ndërkohë që ëndrra e tij për të luajtur në Botërorin 2026 rrezikon seriozisht të shuhet.

Pas një periudhe të gjatë jashtë fushave për shkak të një suspendimi për doping dhe mungesave të shumta për dëmtime, Pogba u angazhua me klubin e AS Monaco me shpresën për një rikthim të denjë në nivelet më të larta të futbollit dhe, pse jo, për ta rikthyer edhe vendin e tij në Kombëtaren e Francës.

Megjithatë, situata sportive e 32-vjeçarit ka qenë e vështirë këtë sezon.

Ai i ka zhvilluar vetëm rreth 30 minuta lojë në kampionatin francez dhe është përballur me probleme të vazhdueshme muskulore që e kanë mbajtur jashtë ritmit të stërvitjes dhe ndeshjeve – një faktor kyç që ka ndikuar negativisht në mundësitë e tij për një rikthim të plotë.

Sipas raportimeve të fundit, Pogba ende nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi duke bërë që ai të mos i rifillojë stërvitjet me grupin dhe të mbetet larg fushës përkohësisht.

Kjo gjendje e paqartë e tij fizike e bën shumë të vështirë një vend në listën e Didier Deschamps për Francën në Botërorin e vitit 2026, që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut.

Kjo është një goditje e rëndë për mesfushorin francez, i cili ka kaluar një periudhë të gjatë pa aktivitet konkurrues për shkak të pezullimit dhe më pas dëmtimeve të njëpasnjëshme, duke e parë ëndrrën e tij për një rikthim në skenën më të madhe të futbollit botëror të zbehet dita-ditës..



Lexoni të gjitha në Bota Sot