Pas problemeve të dukshme në sulm, veçanërisht në mungesë të Victor Osimhenit, Galatasaray ka vendosur të ndërhyjë në merkato për të shmangur vështirësitë në gjysmën e dytë të sezonit.
Klubi verdhekuq ka intensifikuar kontaktet me disa lojtarë dhe, sipas raportimeve të fundit, ka bërë një lëvizje konkrete për një emër surprizë.
Së fundmi Galatasaray i ka paraqitur Dinamo Zagrebit një ofertë zyrtare për Arbër Hoxhën.
Megjithatë, klubi kroat e ka refuzuar propozimin, duke e konsideruar 27-vjeçarin një element kyç për pjesën e dytë të sezonit.
Hoxha po kalon një moment shumë pozitiv me fanellën e Dinamos.
Në kampionat ka zhvilluar 17 ndeshje, duke luajtur 1.026 minuta dhe duke kontribuar me 6 gola dhe 3 asistime.
Këto shifra e kanë bërë atë një titullar të padiskutueshëm në Zagreb.
Sulmuesi shqiptar aktivizohet kryesisht si anësor i majtë, por mund të luajë edhe në krahun e djathtë apo si sulmues qendror, duke ofruar fleksibilitet të madh taktik. I transferuar në janar 2024 nga Slaven Belupo Koprivnica për 1 milion euro, vlera aktuale e kartonit të tij vlerësohet rreth 2.5 milionë euro.