Egnatia për +10 në Shkodër

- Bota Sot

Egnatia për +10 në Shkodër

Egnatia zbret sot në Shkodër me synimin e qartë për të konsoliduar kreun e renditjes dhe për të “larguar” nga gara për titull një kundërshtar direkt si Vllaznia.

Kampionët në fuqi të Superiores kanë përpara një mundësi të artë, pasi një fitore në “Loro Boriçi” do t’u mundësonte rrogozhinasve ta çojnë diferencën në +10 pikë ndaj kuqebluve, një distancë që në këtë fazë të sezonit do të kishte peshë të konsiderueshme.

Ky është një stimul i madh për bardhejeshilët, të cilët synojnë maksimumin në këtë transfertë të vështirë, aq më tepër kur përballë kanë një skuadër ndaj së cilës kanë ende “hesape për të larë”. Në dy përballjet e mëparshme të këtij sezoni, Egnatia nuk ka arritur ta mposhtë Vllazninë, duke regjistruar një humbje dhe një barazim, rezultate që e bëjnë këtë sfidë edhe më motivuese për kampionët. Megjithatë, mungesa e kapitenit Albano Aleksi ka prishur disi ekuilibrat për këtë ndeshje delikate.

Mesfushori është i pezulluar për kartonë dhe do të mungojë në një duel ku përvoja dhe roli i tij para mbrojtjes do të ishin tejet të vlefshme.

Pavarësisht kësaj, në kampin e Egnatias nuk duan të kërkojnë alibi.

Mesazhi është i qartë: skuadra duhet të reagojë si grup dhe të tregojë se ka thellësinë e duhur për të përballuar mungesat.

Nga ana tjetër, Egnatia vjen në këtë takim në një formë mjaft të mirë sportive. Katër sfidat e fundit të kampionatit, para mbylljes së vitit, janë shoqëruar me katër fitore radhazi, duke i sjellë ekipit 12 pikë të plota.

Një seri që i ka dhënë mundësinë rrogozhinasve të parakalojnë rivalët direkt në renditje dhe të rimarrin vendin e parë, ku tashmë synojnë të qëndrojnë për sa më gjatë. Një nga ekipet e lëna pas në këtë garë është pikërisht Vllaznia, çka i jep edhe më shumë peshë kësaj përballjeje.



Lexoni të gjitha në Bota Sot