Mbrojtja e Kombëtares, probleme para Polonisë

- Bota Sot

Mbrojtja e Kombëtares, probleme para Polonisë

Ardian Ismajli nuk e shijoi siç duhet kualifikimin e Torinos në çerekfinalen e Kupës së Italisë, pasi mundi Romën me rezultatin 2-3.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare braktisi fushën e lojës 20 minuta nga fundi pas një dëmtimi në kavilje. Ai mori një goditje të fortë, duke ngritur alarmin jo vetëm në kampin torinez, por edhe në atë të Kombëtares shqiptare.

Vëmendja e madhe e kuqezinjve është për ndeshjen e marsit me Poloninë, por mbrojtja, që ka qenë një nga pikat më të forta të Kombëtares, për momentin shqetëson jo pak Sylvinhon.

Përveç Ismajlit, edhe Gjimshiti ka pësuar dëmtimin e dytë brenda një muaji, diçka që konfirmon se forma e tij fizike nuk është optimale. Në qendër të mbrojtjes është rikuperuar Kumbulla, por edhe ai nuk është titullar fiks te Majorka.

Problematike është situata edhe në krahët e mbrojtjes.

Elseid Hysaj është jashtë listës së Lacios për Serinë A, pavarësisht se periudha e janarit bën përjashtim dhe të gjithë mund të luajnë. Që nga ndeshja me Anglinë në nëntor, ka koleksionuar 11 minuta.

Edhe Ivan Balliu ka qenë i dëmtuar dhe tani po aktivizohet për të rigjetur formën.

E njëjtë është situata për Mario Mitajn, i cili për të katërtën ndeshje radhazi nuk është grumbulluar nga trajneri Konseisao me ekipin e Al Itihadit. Pavarësisht se për mbrojtësin kuqezi ka oferta në merkato, ende nuk ka vendosur për të ardhmen.

Megjithatë, deri më 26 mars për sfidën me Poloninë, ka kohë që këto problematika të mbrojtjes të zgjidhen.



Lexoni të gjitha në Bota Sot