Krizë te Tottenhami?

- Bota Sot

Krizë te Tottenhami?

Tottenham Hotspur ka konfirmuar zyrtarisht largimin e drejtorit sportiv, Fabio Paratici, i cili do të vazhdojë karrierën e tij te klubi italian Fiorentina.

Paratici do të largohet nga Spurs pas përfundimit të afatit kalimtar të janarit, vetëm tre muaj e gjysmë pasi ishte emëruar në këtë rol.

53-vjeçari kishte dy periudha në pozita të rëndësishme te klubi londinez, fillimisht si drejtor menaxhues i futbollit nga qershori 2021 deri në prill 2023, përpara se të ndalohej nga Federata Italiane e Futbollit dhe më pas nga FIFA, për shkak të dyshimeve për parregullsi financiare gjatë kohës së tij te Juventusi.

Pas përfundimit të dënimit, Paratici ishte rikthyer zyrtarisht te Tottenham si bashkë-drejtor sportiv së bashku me Johan Lange, pas largimit të papritur të Daniel Levy nga hierarkia e klubit.

“Dua të falënderoj Vinai dhe Bordin e Tottenham Hotspur që respektuan dëshirën time për t’u rikthyer në Itali dhe për t’iu bashkuar Fiorentinës,” deklaroi Paratici.

“E kam dashur kohën time te ky klub, por kjo mundësi, së bashku me nevojën për të qenë pranë familjes sime në vendlindje, më çoi në këtë vendim.

Spurs do të mbeten gjithmonë afër zemrës sime.”

Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Tottenhamit, Vinai Venkatesham, theksoi se struktura drejtuese e klubit do të vazhdojë normalisht:
“Kemi rënë dakord që Fabio të kthehet në Itali pas përfundimit të afatit kalimtar të janarit. E falënderojmë për kontributin e tij dhe i urojmë suksese në të ardhmen.”

Largimi i Paraticit vjen në një moment të vështirë për klubin, teksa Tottenham renditet në vendin e 14-të në Premier League dhe presioni mbi trajnerin Thomas Frank po rritet ndjeshëm për shkak të rezultateve dhe stilit të lojës.

Ndërkohë, Spurs pritet të finalizojnë përforcimet e para të janarit, me mesfushorin Conor Gallagher që pritet të vijë nga Atlético Madrid, si dhe mbrojtësin e majtë Souza nga Santos.



Lexoni të gjitha në Bota Sot