Federico Chiesa dëshiron Juventusin dhe Juventusi dëshiron sërish Chiesën.
Pas një viti e gjysmë nga largimi i detyruar drejt Liverpoolit, hipoteza e rikthimit në Torino po fiton gjithnjë e më shumë terren dhe po ngroh merkaton bardhezi.
Interesi është i ndërsjellë dhe përputhet edhe me idetë teknike të Luciano Spallettit, i cili kërkon një anësor sulmues si alternativë ndaj Conceiçaos ose Yildizit, ky i fundit i mundshëm edhe në role më qendrore.
Chiesa do të ishte një zgjidhje shumë-funksionale: përveçse në krah, ai mund të përshtatet edhe si sulmues lëvizës, duke mbuluar një repart që Juventusi dëshiron ta ketë më elastik. Te Liverpooli, sezoni i tij ka qenë larg pritshmërive: 529 minuta dhe vetëm dy gola, ndërsa që nga viti 2024 numëron 36 ndeshje në të gjitha kompeticionet me vetëm pesë gola.
Nuk ka kaluar pa u vënë re as buzëqeshja ironike e Chiesës kur u zëvendësua nga Slot në ndeshjen e fundit të FA Cup-it, shenjë e një situate që duket se ka mbërritur në pikën e kthesës.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, lojtari është gati t’i japë një asist të rëndësishëm Juventusit:
Chiesa do të pranonte uljen e pagës nga gjashtë milionë euro në sezon që përfiton aktualisht në Angli. Një sinjal i fortë për Torinon, edhe pse mbetet për t’u bindur Liverpooli që të zbusë kërkesat ekonomike.
Paralelisht, drejtuesit Comolli dhe Ottolini mbajnë të hapura edhe alternativat Daniel Maldini dhe Gudmundsson.