Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, doli sot në konferencë shtypi, ku foli për ndeshjen e nesërme me Vorën, si dhe për çështje të tjera që lidhen me kampin e kuq.
Gjendja ekipit pas suksesit në kupën e Shqipërisë?
Gjendja e ekipit paraqitet e mirë. Ndeshja e kupës tregoi që ishim një ritëm, nuk e kishim humbur. Seancat stërvitore kanë qenë të gjata dhe me ngarkesë për të përballuar pjesën e sezonit që na pret. Djemtë duken mirë, harmonia është e mirë dhe jemi gati për ndeshjen e nesërme.
Si e vlerësoni ndeshjen me Vorën?
Eshtë një ndeshje e fortë, të themi realisht. Vora ka bërë mirë gjatë gjithë sezonit, mos të themi që është surpriza e këtij sezoni deri tani. Ka elementë shumë cilësorë, djem të rinj që po bëjnë shumë mirë në pjesën e parë të sezonit. Eshtë një ndeshje, të cilën e kemi vlerësuar shumë. Sigurisht që ne duhet të hyjmë vetëm për 3 pikët, por respekt maksimal për ekipin e Vorës.
Ardhja e drejtorit sportiv dhe merkato?
Ne grupin e kemi dhe bisedimet me drejtorin sportiv kanë qenë që mund të marrim ndonjë element, si rasti i Qakës, që me të vërtetë mund të bënte diferencën.
Të kemi cilësi në ekip, jo të shtojmë në numër, sepse djemtë janë, kanë bërë një sezon të mirë, panvarësisht dëmtimeve që kanë qenë të shumta.
Ne e kemi patur grupin, lojtarët janë, kështu që nuk mund të marrim një element thjesht për të shtuar numrin, ose për të thënë që po bëjmë merkato. Merkato e janarit është gjithmonë e varfër.
Lojtarët që mund të vijnë nuk janë në formë, ose janë prej disa kohësh pa luajtur, që në raste të tilla nuk do të na shërbenin fare, sepse kampionati është në ritëm, jemi direkt në ndeshjen e parë. Grupi është dhe besoj me këtë kontigjent do vazhdoj.
Personalisht Kërnaja, kë repart do të preferonte për ta përforcuar?
Gjëja e parë që do të preferoja është që të ktheheshin të gjithë lojtarët, ti kisha të gjithë djemtë pjesë e grupit, pastaj do të shikonim nëse ia arrinim ose jo. Merkato më e mirë për ne është rikthimi i të gjitha forcave tona, nuk kemi nevojë për ndërhyrje nga jashtë.
Pritshmëritë për ndeshjen e nesërme?–
Pritshmëritë dhe dëshira sigurisht janë për 3 pikët. Ne hyjmë për të fituar për ta vazhduar vitin mbarë, për të ecur përpara drejt objektivave.