Kanë përfunduar dy ndeshjet e radhës për javën e 19-të në Abissnet Superiore.
Në “Loro Boriçi”, Vllaznia ka fituar 1:0 ndaj kampiones në fuqi, Egnatias.
Pas një aksioni të gjatë të shkodranëve, ishte Sherif Kallaku që dërgoi topin në rrjetë me një goditje me të majtën brenda zonës. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për Vllazninë.
Në minutën e 59-të, Egnatia gjen golin me Buric, por që anullohet nga arbitri kryesor i takimit për pozicion jashtë loje të Alessandro Albanese. Rezultati nuk ndryshon deri në fund.
Vllaznia fiton 1-0 ndaj Egnatias, duke i ndalur rrogozhinasit pas 4 fitoreve rresht. Egnatia mban vendin e parë me 37 pikë, Vllaznia ngjitet në vendin e tretë me 33 pikë.
Në “Elbasan Arena”, verdheblutë u ndalën në barazim 1-1 ndaj Flamurtarit. Golat u shënuan në pjesën e dytë. Sfida u zhbllokua në minutën e 70-të, ku Xhonatan Lajthia pengohet në zonë nga Lorenc Trashi, arbitri jep 11-metërsh, Diallo godet saktë dhe kalon në avantazh vendasit.
Vlonjatët barazuan shifrat me Aldrit Oshafi, i cili shënoi me kokë pas një krosimi në zonë nga goditja e dënimit. Rezultati final 1-1. Elbasani mban vendin e dytë me 34 pikë, Flamurtari vendin e nëntë me 15 pikë.