Jude Bellingham ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas raportimeve që flisnin për një marrëdhënie të tensionuar mes tij dhe Xabi Alonsos, duke kritikuar hapur median dhe duke hedhur poshtë çdo spekulim.
Pas humbjes së Real Madridit ndaj rivalëve historikë të Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës, e zhvilluar në Xhedah të Arabisë Saudite, klubi madrilen konfirmoi zyrtarisht ndarjen nga trajneri spanjoll.
Xabi Alonso drejtoi “Los Blancos” vetëm për shtatë muaj, një periudhë e shoqëruar nga presion i vazhdueshëm dhe pritshmëri të larta.
Menjëherë pas largimit të tij, disa media nisën të publikojnë raportime mbi prapaskenat e mandatit të Alonsos, duke pretenduar se ai kishte pasur marrëdhënie problematike me disa lojtarë, mes tyre edhe yllin anglez Jude Bellingham.
Mesfushori i Real Madridit vendosi të reagojë publikisht, duke mohuar kategorikisht këto zëra dhe duke shprehur hapur pakënaqësinë e tij.
Dihet se gjatë periudhës së tij në krye të skuadrës, Alonso pati një përplasje të dukshme me Vinicius Junior, i cili ende nuk ka reaguar pas largimit të trajnerit.
Megjithatë, Bellingham theksoi se raportimet që e lidhnin atë me një situatë të ngjashme janë të pavërteta.
“Deri tani kam lënë të kalojnë shumë prej këtyre gjërave, duke shpresuar se e vërteta do të dilte në dritë në kohën e vet. Por sinqerisht… çfarë marrëzie,” shkroi Bellingham.
“Vërtet më vjen keq për njerëzit që kapen pas çdo fjale të këtyre klounëve dhe ‘burimeve’ të tyre. Mos besoni gjithçka që lexoni.
Herë pas here, këta duhet të mbahen përgjegjës për përhapjen e këtij lloj dezinformimi të dëmshëm, vetëm për klikime dhe për të krijuar polemika”.