Marco van Basten ndërpret punën në televizion, do të qëndrojë pranë bashkëshortes

- Bota Sot

Marco van Basten ndërpret punën në televizion, do të qëndrojë pranë bashkëshortes

Marco van Basten ka vendosur të ndërpresë përkohësisht angazhimin e tij si komentator televiziv për të qenë pranë bashkëshortes, Liesbeth, e cila po përballet me një sëmundje të rëndë.

Lajmi është bërë i ditur nga Ziggo Sport, emision ku ish-legjenda e Milanit dhe e futbollit holandez ishte një nga figurat kryesore të analizës së ndeshjeve më të rëndësishme të Champions League, Serisë A dhe La Liga-s.

Në një komunikatë zyrtare, televizioni holandez njoftoi se Van Basten nuk do të shfaqet në ekran për muajt në vijim, pasi bashkëshortja e tij do t’u nënshtrohet trajtimeve intensive mjekësore, pjesërisht edhe me karakter parandalues. Vendimi është marrë për t’i qëndruar sa më afër familjes në këtë periudhë të vështirë.

Vetë Marco van Basten ka reaguar me një mesazh të ndjerë: “Dua t’i përkushtohem plotësisht shërimit të Liesbeth në muajt që vijnë.

Do të jetë pa dyshim një periudhë e vështirë, por jemi shumë optimistë për një përfundim pozitiv.”

Edhe drejtori i Ziggo Sport, Marcel Beerthuizen, ka shprehur mbështetjen e plotë të televizionit: “Jemi thellësisht të prekur nga kjo situatë.

I shprehim solidaritetin tonë Liesbeth-it, Marcos dhe familjes së tyre, duke u uruar shumë forcë për periudhën që i pret.”

Një vendim njerëzor nga një ikonë e futbollit, që tregon se familja mbetet gjithmonë prioriteti kryesor..



Lexoni të gjitha në Bota Sot