Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj N.C., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas Prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura N.C., gjatë periudhës 1998–1999, në cilësinë e personit zyrtar – gardiane në Burgun e Prishtinës, paralelja për gra në Lipjan, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgut, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës”.
Në aktakuzë thuhet se gjatë kësaj periudhe, N.C. ka keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, përfshirë shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, çka ka rezultuar me shkaktim të lëndimeve trupore.
Rasti i është dërguar për shqyrtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.