Ilaz Mjaku: Për 20 vite sa kemi punuar bashkë, ju keni qenë gjithmonë motivi im

- Bota Sot

Ilaz Mjaku: Për 20 vite sa kemi punuar bashkë, ju keni qenë gjithmonë motivi im

Lidhja Rajonale e Futbollit e Ferizajt organizoi të shtunën Kuvendin e saj të Rregullt Zgjedhor, ku ishin të pranishëm 20 nga 25 delegatë sa numëron ky kuvendi në total.

Gjatë këtij kuvendi u trajtuan disa çështje të rëndësishme, ndër të cilat ishte harmonizimi i statutit të LRF Ferizaj me statutin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Një nga pikat kryesore të rendit të ditës ishte edhe përzgjedhja e kandidatit për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së nga ky regjion.

Zgjedhjet u zhvilluan në bazë të vendimit të Bordit të LRF Ferizaj të marrë më 17 dhjetor 2025, duke respektuar plotësisht kriteret dhe dispozitat statutare të FFK-së. Me këtë rast, delegatët e Kuvendit propozuan z. Ilaz Mjaku si përfaqësues të Regjionit të Ferizajt në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së, propozim i cili u miratua me vota unanime.

Pas konfirmimit si i mandatuar për Kuvendin Zgjedhor të FFK-së më 5 shkurt, Mjaku falënderoi delegatët për mbështetjen dhe besimin e dhënë, duke ritheksuar angazhimin e tij për vazhdimin e punës në funksion të zhvillimit dhe avancimit të futbollit në regjionin e Ferizajt.

“Ju falënderoj për këtë nder që ma keni dhënë. Kam kohë të gjatë që jam në futboll dhe për mua futbolli është puna e parë dhe e fundit.

Për 20 vite sa kemi punuar bashkë, ju keni qenë gjithmonë motivi im për punë, madje edhe për t’i kaluar sfidat shëndetësore që i kam pasur.

Ju jam mirënjohës për bashkëpunimin korrekt që e kemi pasur, pa asnjë problem, dhe ky bashkëpunim si i tillë do të vazhdojë edhe më tutje me të vetmin qëllim, zhvillimin e mëtejmë të futbollit në regjionin tonë”, tha ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot