Manipulim industrial i votave, Kryeprokurori i Prizrenit: Kam lëshuar autorizim që identifikohen personat përgjegjës

- Gazeta e Prizrenit

Manipulim industrial i votave, Kryeprokurori i Prizrenit: Kam lëshuar autorizim që identifikohen personat përgjegjës

Në pothuajse gjysmën e vendvotimeve që supozohet t’i nënshtrohen procesit të rinumërimit të votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ky proces tashmë ka përfunduar.

Rinumërimi i i një të tretës së vendvotimeve nisi më 13 janar, pasi u vërejten dallime në fletëvotimet me votat për kandidatët brenda subjekteve politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi ka përfunduar në 19 komuna dhe se tani fillimisht do të vazhdojë me rinumërimin në Prizren dhe pastaj me komunat e tjera.

Në Prizren deri tash janë numëruar 172 nga 235 vendvotime dhe kjo komunë prin dukshëm me numrin e fletëvotimeve me gabime.

Për këtë çështje ka folur Petrit Kryeziu, kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, i cili tha për Gazetën Sinjali se sot ka lëshuar autorizim për Policinë për identifikimin e personave përgjegjës, sigurimin e provave, përfshirë këtu procesverbalet dhe nënshkrimet, krejt kjo pasi siç tha ai janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave.

“Si institucion i Prokurorit të Shtetit, kemi monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore. Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit. Në këtë drejtim, sot, në cilësinë e kryeprokurorit me vetiniciative kam lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet”, tha Kryeziu për Gazetën Sinjali.

Kryeprokurori theksoi se çdo person që ka falsifikuar rezultatet përmes vendosjes së nënshkrimit të tij do të mbajë përgjegjësi, pasi manipulimi i votës është krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis.

“Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndroj i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale. Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis”.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit