Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e sheh Bashkimin Evropian si një bufe: zgjedh vetëm bashkëbiseduesit që i përshtaten, dhe vazhdimisht i konsideron kritikët nga i njëjti Bashkim Evropian si armiq, tha raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonono Picula. Sipas tij, Vuçiq i trajton në të njëjtën mënyrë edhe rivalët politikë vendas, madje edhe qyetetarët e Serbisë.
Në një intervistë për “Vecernji list”, Picula foli për sulmet e vazhdueshme të Vuçiq.
Deklaratat me karakter sulmi të Vuçiq erdhën pak ditë para se delegacioni i Parlamentit Evropian, i udhëhequr nga Tonino Picula, të jetë në Beograd, nga 22 deri më 24 janar. Edhe pse vizita ishte njoftuar më herët, para se të mbërrinin në Beograd, presidenti serb Aleksandar Vuçiq hapi zjarr ndaj parlamentarëve evropianë. Siç pritej, shumica e kritikave i drejtohen Tonino Piculës, të cilin Vuçiq dhe makineria e tij mediatike e kanë sulmuar me deklarata të paqarta dhe me etiketime me fyerjet më të këqija që nga dita e parë.
Presidenti i Serbisë, së bashku me Kryetaren e Asamblesë Kombëtare Ana Brnabiç, njoftuan se po refuzojë të flasin me Piculën dhe delegacionin e tij. “Ata u ulën, urrejtësit e Serbisë, dhe pranuan të vinin në Beograd. Nuk na pyetën, nuk na informuan”, ka përsëritur Vuçiq prej ditësh.
Picula tha se do të ketë më shumë sulme të tilla dhe se Vuçiq nuk po heq dorë prej tyre.
Sipas tij, pyetja që lind është se a dëshiron Serbia, me Vuçiçin në krye, të anëtarësohet fare në Bashkimin Evropian? “Deklarativisht – po, por në praktikë po bën gjithçka për ta shmangur atë”, tha ai.
“Më duket se presidenti i Serbisë e sheh Bashkimin Evropian si një bufe: ai zgjedh vetëm bashkëbiseduesit që i përshtaten, dhe vazhdimisht i konsideron kritikët nga i njëjti Bashkim Evropian si armiq. Sipas mendimit tim, kjo nuk është asgjë e re apo e çuditshme, sepse ai i trajton në të njëjtën mënyrë edhe rivalët politikë vendas, dhe do të thoja edhe qytetarët e Serbisë... Pra, në mënyrën e tij të njohur, Vuçiq flet kryesisht ose me një pasqyrë, ose vetëm me gazetarë të zgjedhur, të cilët më pas përcjellin perceptimin e tij për atë se çfarë është situata në Serbi dhe përreth Serbisë. Prandaj, asgjë e çuditshme”, thekson Tonino Picula, në një intervistë për Vecernji list.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë përsëriti se Parlamenti Evropian, ku ai është përfaqësues me kolegë të tjerë parlamentarë, mbështet vazhdimisht politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Serbinë.
“Megjithatë, kjo politikë ka qëllimet dhe metodologjinë e vet... Të tjerë para meje, të cilët nuk ishin as në grupin tim politik, gjithmonë kanë theksuar të njëjtat probleme në raportet e tyre, të cilat, për fat të keq, nuk po zgjidhen në Serbi. Do të thosha se veçanërisht në vitin e fundit, këto probleme vetëm sa janë grumbulluar. Vuçiq fajëson të gjithë të tjerët për problemet e Serbisë përveç tij dhe sistemit që ai ka udhëhequr prej vitesh”, tha Picula.