Fenerbahce ofron zyrtarisht miliona për Muriqin, e ardhmja e kosovarit vendoset këtë javë

- Bota Sot

Fenerbahce ofron zyrtarisht miliona për Muriqin, e ardhmja e kosovarit vendoset këtë javë

Vedat Muriqi vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes gjatë janarit, jo vetëm për golat e shënuar.

Sulmuesi kosovar është duke pasur oferta të vazhdueshme, përkundër që ka shprehur dëshirën për të mbetur te Mallorca.

Ish-klubi i Muriqit, Fenerbahce po insiston për ta rikthyer në Stamboll sulmuesin dardan.

Mediumi turk, FotoMac ka raportuar se gjiganti nga Stambolli ka bërë një ofertë të parë në drejtim të Mallorcas prej 12 milionë eurove dhe dy klubet janë duke negociuar.

Mallorca synon të përfitojë 16 milionë euro nga shitja e Muriqit i cili këtë edicion ka shënuar 14 gola në La Liga, por dëshira e tij është të mbetet në klubin aktual.

"Jam i lumtur këtu dhe kam një kontratë. Kur një sulmues shënon shumë gola, vijnë oferta. Klubi do të vendos për të ardhmen time, pastaj unë do të marr vendimin tim", tha Muriqi të shtunën pasi shënoi het-trik ndaj Athletic Bilbaos.

Gjithnjë sipas mediave turke, e ardhmja e Muriqit pritet të vendoset deri në fund të kësaj jave nëse do të largohet nga Mallorca apo do të qëndrojë për ta thyer rekordin e Samuel Etoo-s si golashënuesi më i mirë në histori të klubit.

Aktualisht Muriqi ka shënuar 48 gola dhe ndodhet vetëm gjashtë gola larg rekordit të kamerunasit i cili është golashënuesi më i mirë në histori të Mallorcas me 54 gola. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot