Cristiano Ronaldo ka fituar zyrtarisht çështjen gjyqësore kundër Juventusit, me gjykatën e punës në Torino që ka hedhur poshtë ankesën e klubit bardhezi për rimarrjen e 9.8 milionë eurove të paguara portugezit. Vendimi u dha nga gjyqtari Gian Luca Robaldo dhe lidhet me mosmarrëveshjen e gjatë për pagat e papaguara nga periudha e pandemisë COVID-19.
Ronaldo ishte larguar nga Juventusi në vitin 2021 me rreth 19.6 milionë euro të papaguara, çka e shtyu atë të ndërmerrte veprime ligjore në vitin 2023.
Në prill të vitit 2024, arbitrazhi kishte vendosur që klubi t’i paguante gjysmën e shumës, 9.8 milionë euro, pasi marrëveshja private e pretenduar nga Juventusi nuk mbante firmën e lojtarit. Apeli i klubit u rrëzua dhe tashmë konfirmohet se fondet nuk mund të rikuperohen.
Përveç shumës së humbur, Juventusi do të mbulojë edhe shpenzimet ligjore, megjithatë vendimi nuk ndikon në bilancin financiar pasi shuma ishte parashikuar më herët. Klubi pritet ta analizojë aktgjykimin për të parë nëse ekzistojnë baza për hapa të tjerë ligjorë, ndërsa për Ronaldon kjo shënon mbylljen përfundimtare të një sage që zgjati disa vite.