Agjenti i Gianluigi Donnarumma, Enzo Raiola, ka konfirmuar se portieri italian po shijon projektin te Manchester City, por nuk përjashton mundësinë e një rikthimi në Itali nëse do të shfaqet një ofertë e duhur.
Raiola tha se Donnarumma ka gjetur qetësi dhe stabilitet në ekipin e Pep Guardiolës.
“Sot në Manchester City ai po gjen qetësi me ekipin dhe mjedisin, dhe e gjen projektin shumë interesant”, tha Raiola. “Ai gjithashtu po fillon ta kuptojë ligën angleze.”
Agjenti zbuloi se Donnarumma ka bërë shaka për një qëndrim pesë ose gjashtë vjeçar në Angli, por theksoi se çdo mundësi serioze për t’u rikthyer në Serie A do të merret në konsideratë.
Interesi nga klubet italiane u shfaq verën e kaluar, kur portieri ishte në muajt e fundit të kontratës së tij me PSG-në, para se t’i bashkohej City-t.
26-vjeçari, portieri numër një në Itali, është ambientuar shpejt te City dhe ka ofruar stabilitet të madh në portë.
Ai ka mbajtur portën e paprekur në 10 ndeshje nga 24 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, duke konfirmuar rëndësinë e tij për skuadrën e Pep Guardiolës.