Policia e Kosovës në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, sot ka realizuar ekstradimin e një shtetasi të Maqedonisë së Veriut nga Republika e Kosovës drejt Maqedonisë së Veriut.
Personi i ekstraduar ishte arrestuar më herët nga njësitet e Policisë së Kosovës, pasi kërkohej me urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e drejtësisë së Maqedonisë së Veriut. I dyshuari ishte i arratisur nga burgu, ku po vuante dënimin për veprën penale “Grabitje”.
Procesi i ekstradimit është realizuar në përputhje me procedurat ligjore në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional ndërmjet autoriteteve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut.
Policia e Kosovës njofton se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve dhe koordinimin me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe në funksion të gjurmimit, kapjes dhe arrestimit të personave dhe grupeve kriminale.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe forcimin e sigurisë në nivel vendor dhe ndërkombëtar.