Bellingham kundër tifozëve

- Bota Sot

Bellingham kundër tifozëve

Klima mes Jude Bellingham dhe një pjese të tifozëve të Real Madridit mbetet e tensionuar, pavarësisht rezultateve pozitive të fundit.

Fitorja e thellë 6–1 ndaj Monaco-s në “Santiago Bernabeu”, që u siguroi “Los Blancos” vendin e dytë në renditjen e Champions League dhe rihapi garën për titullin në La Liga (vetëm –1 pikë nga Barcelona e drejtuar nga Hansi Flick), nuk mjaftoi për të shuar polemikat.

Pas shkarkimit të Xabi Alonso-s, Real Madridi duket se po gjen sërish rrugën e duhur, por marrëdhënia me tifozët ka pësuar krisje të dukshme.

Në ndeshjet e fundit nuk kanë munguar fishkëllimat, edhe në mbrëmje ku skuadra ka marrë duartrokitje dhe Vinicius është shpallur MVP. Episodi më domethënës erdhi nga Jude Bellingham, autor i golit të gjashtë kundër Monaco-s, i cili festoi në mënyrë provokuese.

Mesfushori anglez, i kritikuar së fundmi në rrjetet sociale për një jetë të supozuar nate në Madrid në dëm të paraqitjeve në fushë, reagoi me ironi: pas golit, ai vendosi gishtin e madh te goja, ngriti gishtin e vogël dhe hodhi kokën pas, duke imituar pirjen e një “shots”-i.

Gjestin e përsëriti disa herë, përpara se të qeshte me shokët e skuadrës.

“Festimi im? Shumë njerëz thonë shumë gjëra. Unë e di si qëndron e vërteta dhe, në njëfarë mënyre, u hakmora ndaj tifozëve”, u shpreh Bellingham. Një deklaratë që konfirmon se, edhe pse rezultatet po vijnë, paqja mes ‘yllit’ anglez dhe tribunave të ‘Bernabeu’-t është ende larg.



Lexoni të gjitha në Bota Sot