Zbulohet misteri i pajisjes në krahun e Arda Guler

- Bota Sot

Zbulohet misteri i pajisjes në krahun e Arda Guler

Gjatë përballjes mes Real Madridit dhe Monacos, që u mbyll me një fitore bindëse të madrilenëve, vëmendja nuk u përqendrua vetëm te rezultati dhe paraqitja në fushë.

Një detaj i veçantë nuk i shpëtoi syrit të tifozëve: një pajisje e vogël, e rrumbullakët, e vendosur në krahun e Arda Guler.

Bëhet fjalë për një glukometër, një pajisje që shërben për monitorimin e nivelit të glukozës në gjak.

Edhe pse zakonisht lidhet me personat që vuajnë nga diabeti, nuk ka asnjë indicie që mesfushori turk të ketë probleme shëndetësore.

Përkundrazi, përdorimi i kësaj teknologjie po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në sportin elitar.

Sipas dietologut-nutricionist Guillermo Gómez, nga Klinika Cemtro në Madrid, i cili ka folur për “CuídatePlus”, glukometri ndihmon sportistët të kuptojnë më mirë reagimin e trupit ndaj stërvitjes, ushqimit dhe pushimit.

“Ai tregon se si ndryshon glukoza gjatë aktivitetit fizik dhe kur trupi ka nevojë për energji shtesë”, shpjegon specialisti.

Gómez jep edhe një shembull konkret: disa atletë ndjekin dieta me pak karbohidrate, por në sporte me intensitet të lartë, si futbolli, kjo mund të sjellë rënie performance. Monitorimi i glukozës ndihmon për të përcaktuar momentin ideal për konsumimin e karbohidrateve.

Sipas ekspertëve, glukometri mund të sinjalizojë:

kur trupi po mbetet pa energji;

rënie të papritura të glukozës që ndikojnë në ritëm;

efektin e nxehtësisë, hidratimit dhe ngarkesës fizike.

Edhe pse nuk ka prova shkencore për një përmirësim të drejtpërdrejtë të performancës, përvoja e atletëve elitarë tregon se kjo pajisje mund të jetë një mjet shtesë i dobishëm. Megjithatë, baza e suksesit mbetet e njëjtë: stërvitje cilësore, ushqim i balancuar dhe pushim i mjaftueshëm.



Lexoni të gjitha në Bota Sot