Interi kërkon një anësor

- Bota Sot

Interi kërkon një anësor

Interi është i ndarë mes Europës dhe kampionatit, por për momentin fokusi është vetëm te Serie A.

Para sfidës së fundit të Champions League kundër Borussia Dortmundit, zikaltërit kthehen te kampionati ku i pret ndeshja me Pizën, në një garë për titull që mbetet plotësisht e hapur.

Kalendari i ngjeshur nuk lejon pushime dhe vështirësitë po ndihen sidomos në krahun e djathtë: Dumfries do të mungojë edhe për më shumë se një muaj, ndërsa Luis Henrique, ndonëse në rritje, nuk ka bindur plotësisht dhe ka luajtur pa ndalesë javët e fundit.

Për këtë arsye, Interi po vlerëson një përforcim në merkaton e janarit, e cila mbyllet më 2 shkurt.

Trajneri Cristian Chivu kërkon një lojtar të gatshëm menjëherë për skemën 3-5-2.

Një emër që mbetet në pritje është Ivan Perishiq: kroati dëshiron rikthimin, por gjithçka varet nga pozicioni i PSV-së në Champions. Interi pret dhe shpreson.

Nëse klubi holandez mbetet jashtë play-off-it të Champions League, atëherë mund të vlerësojë shitjen e një lojtari që në shkurt do të mbushë 37 vjeç.

Për Interin, Perishiq do të ishte një garanci e menjëhershme: 254 ndeshje me fanellën zikaltër, njohje perfekte e ambientit dhe gatishmëri për të firmosur një kontratë 6-mujore me opsion, me një pagë të përballueshme.



Lexoni të gjitha në Bota Sot