Shqiptari, ndër 30 futbollistët me kartonin më të shtrenjtë në ligën angleze

- Bota Sot

Shqiptari, ndër 30 futbollistët me kartonin më të shtrenjtë në ligën angleze

E realizoi ëndrrën e tij. Ndoshta jo atë më të madhen, por gjithsesi bëri një hap të madh në karrierë. 

Futbollisti shqiptar Anis Mehmeti do të vazhdojë këtë sezon sërish në Kategorinë e dytë në Angli (Championship), por tashmë në një skuadër që pretendon realisht ngjitjen në elitë. Ipswich pagoi 3 milionë funtesh, sipas raportimeve nga mediat britanike, por mund të quhet me shumë fat.

Kjo sepse kartoni i shqiptarit arrin në 10 milionë euro sipas agjencisë së specializuar “transfermarkt”, dhe ky transferim me vlerë kaq të ulët ndodhi sepse atij i përfundonte kontrata në fund të sezonit.

Bristol City pranoi më mirë 3 milionë funtesh, sesa largimin me parametër zero në verë.

Nëse shikon vlerën e futbollistëve në Championship, vëren se Mehmeti është një nga më të rëndësishmit.

Vetëm 30 lojtarë nga 680 gjithsej e kalojnë vlerën e kartonit të tij prej 10 milionë eurosh, ndërsa është e sigurt që ylli kuqezi 25-vjeçar do të bëhet edhe më i mirë, pasi pikërisht tani po rritet ndjeshëm profesionalisht.

Natyrisht, sfida tek Ipswich është më e vështirë sesa në Bristol.

Në ekipin që mban vendin e dytë në Championship ka 8 futbollistë me vlerë kartoni mbi 10 milionë euro, pra Mehmeti do të duhet të luftojë për vendin në formacion.



Lexoni të gjitha në Bota Sot