Një rast i rëndë i privimit të kundërligjshëm të lirisë është raportuar në fshatin Piranë, Prizren, ku katër persona dyshohet se kanë rrëmbyer një të ri, duke e futur me forcë në veturë, e më pas duke e liruar me lëndime të dukshme.
Ngjarja ka ndodhur më 24.01.2026, rreth orës 11:52, ndërsa burimet bëjnë të ditur se viktima është B. G. 20 vjeçar.
Sipas informacioneve, katër persona – meshkuj kosovarë, njëri prej tyre i mitur – dyshohet se me forcë e kanë futur viktimën në një veturë të tipit “Seat” me targa vendore, për ta mbajtur për rreth një orë, para se ta lironin sërish.
Burimet e Gaztës Sinjali bëjnë të ditur se motivi i dyshuar i këtij rasti lidhet me faktin se viktima kishte pasur më herët kontakt në rrjetin social snapchat me një vajzë, e cila dyshohet të jetë nga Peja.
Pas lirimit, viktima ka pësuar lëndime të dukshme, ndërsa i është ofruar tretman mjekësor dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal në Prizren, ku më pas është intervistuar dhe është dërguar në shtëpi.
Në lidhje me rastin, njësitet policore kanë ndërmarrë veprime operative dhe kanë arrestuar katër të dyshuarit, njëri i mitur që është liruar.