Mbi 80 mijë vota të dyshuara për manipulim – çfarë tregon rinumërimi i votave deri tani

- Gazeta e Prizrenit

Mbi 80 mijë vota të dyshuara për manipulim – çfarë tregon rinumërimi i votave deri tani

Derisa rinumërimi i votave të zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit po vazhdon në gjithë Kosovën dhe tashmë ka arritur në gjysmë të rrugës, dyshimet dhe hetimet për manipulim të votave janë duke u zgjeruar njëherazi edhe në pjesë të tjera të vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të shtunën se janë rinumëruar mbi 55 për qind të votave në 2.557 vendvotime në mbarë vendin.

Rinumërimi nisi më 13 janar, fillimisht pjesërisht, pasi komisioni kishte gjetur mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Por, kur mospërputhjet në vota u vërtetuan dhe dyshimet sa vinin e shtoheshin, autoritetet për zbatim të ligjit filluan të ndërmarrin masa.

Të dielën, Gjykata Themelore në Prizren urdhëroi nga një muaj paraburgim për 23 të dyshuar për një sërë veprash penale lidhur me keqpërdorimin e votave, dy ditë pasi mbi 100 persona u arrestuan në këtë rajon.

Nga rinumërimi i votave në mbi gjysmën e vendvotimeve deri tani, rreth 80 mijë vota të kandidatëve kanë rezultuar të pasakta dhe të numëruara gabimisht në Qendrat Komunale të Numërimit, sipas Eugen Cakollit nga organizata joqeveritare, Instituti Demokratik i Kosovës.

“Prej tyre, pas rinumërimit, 47.619 vota u janë hequr kandidatëve (sepse u ishin shtuar gjatë numërimit fillestar), ndërsa 32,018 vota u janë shtuar kandidatëve pas rinumërimit (sepse u ishin hequr në mënyrë të parregullt më herët)”, shkroi Cakolli në Facebook të premten.

Sipas tij, nga rreth 80.000 vota të prekura, afërsisht 40.000 i takojnë kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (DPK), rreth 15.000 partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV), rreth 11.000 Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe rreth 4.000 Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Mbi 80 për qind e këtyre votave vijnë vetëm nga komuna e Prizrenit, ndërsa pjesa tjetër nga Malisheva dhe Podujeva (në këtë të fundit janë rinumëruar vetëm 10 për qind të votave), shtoi Cakolli.

Rinumërimi i deritanishëm solli edhe veprime të autoriteteve për zbatimin e ligjit në vend, pasi përveç Prizrenit, ato kanë zgjeruar hetimet edhe në Ferizaj dhe Malishevë.

Në ditët e fundit, prokurorët në Ferizaj dhe Gjakovë autorizuan Policinë të ndërmarrë të gjitha veprime, përfshirë identifikimin e personave përgjegjës, grumbullimin e të dhënave dhe sigurimin e provave në Ferizaj dhe Malishevë, lidhur me dyshimet për manipulim të votave.

Autoritetet e kryen një aksion të premten në Prizren, komunën ku dyshohet se kishte më së shumti keqpërdorim të votave, duke i ndaluar 109 të dyshuar.

Dy ditë më vonë, gjykata e pranoi kërkesën e prokurorëve për t’i dërguar në paraburgim 22 komisionerë dhe një vëzhgues të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit