Barella nuk udhëton drejt Gjermanisë

- Bota Sot

Barella nuk udhëton drejt Gjermanisë

Mesfushori zikaltër nuk do të jetë në “Signal Iduna Park” për sfidën vendimtare kundër Borussia. Mungojnë edhe Çalhanoglu dhe Dumfries.

Lajmi nuk është aspak i këndshëm, por trajneri Cristian Chivu me siguri i ka bërë llogaritë se si do ta mbulojë mungesën e një lideri si Nicolò Barella.

Lojtari nuk është grumbulluar për sfidën në fushën e Borussia Dortmund, vendimtare për rrugëtimin europian të Interit, që ka shpresa për të evituar Play-off-in.

Për shkak të lodhjes muskulore, mesfushori nuk do të udhëtojë drejt Gjermanisë dhe i shtohet listës së mungesave, ku janë edhe Hakan Çalhanoglu e Denzel Dumfries.

Duke ditur këto tre mungesa, kuptohet pak a shumë se cili do të jetë formacioni i Interit në Champions. Konfirmohet Sommer në portë, përpara tij Bisseck, Akanji dhe Bastoni.

Në krahë Dimarco majtas dhe Luis Henrique djathtas. Në regji Zielinski, me Suçiç dhe Mkhitaryan përkrah tij.

Dyshimi i madh për trajnerin Chivu është Lautaro Martinez. Nuk përjashtohet mundësia që argjentinasi ta nisë nga stoli. Nëse kjo zgjedhje konfirmohet, atëherë dyshja titullare e sulmit të Interit në Dortmund do të jetë Thuram-Esposito.



Lexoni të gjitha në Bota Sot