Mbappe, i ashpër me Realin: Ky s’është mentaliteti i një skuadre kampione

- Bota Sot

Mbappe, i ashpër me Realin: Ky s’është mentaliteti i një skuadre kampione

Kylian Mbappe zgjodhi rrugën e autokritikës pas humbjes së Real Madridit në Lisbonë, duke shmangur çdo justifikim dhe duke vënë theksin te problemi më i madh i skuadrës këtë sezon: mungesa e vazhdimësisë.

Sulmuesi francez ishte i drejtpërdrejtë në analizën e tij, duke pranuar se paraqitjet e luhatshme nuk përkojnë me ambiciet e një klubi që synon majat e Evropës.

“Nuk kam një shpjegim të qartë,” u shpreh Mbappe.

“Nuk kemi vazhdimësi në lojë dhe kjo është diçka që duhet ta zgjidhim sa më shpejt. Nuk mund të jemi një ditë shumë mirë dhe ditën tjetër jo. Ky nuk është mentalitet i një skuadre kampione.”

Francezi pranoi gjithashtu se zhgënjimi është i madh, sidomos sepse Reali shpresonte të kishte një shkurt më të qetë për t’u përmirësuar.

“Na dhemb, por pozicioni ku ndodhemi është i merituar,” shtoi ai.

Edhe pse realizoi dy gola në “Da Luz” dhe ka shënuar 36 gola në total këtë sezon, Mbappé nuk e fshehu pakënaqësinë për paraqitjen kolektive. “Kemi luajtur keq. E pësuam për 3-2 dhe goli i katërt nuk ndryshon asgjë. Na vjen pak turp,” tha ai, duke nënvizuar se në Champions League çdo detaj bën diferencën.

Në përfundim, ‘ylli’ francez iu drejtua tifozëve me një thirrje për unitet. “I kërkoj ‘Bernabéu’-t të na mbështesë. Nuk jemi eliminuar dhe në LaLiga jemi në formë të mirë. Me ndihmën e tifozëve do të bëjmë një ndeshje të mirë të dielën,” përfundoi Mbappe.



Lexoni të gjitha në Bota Sot