Campos: Enrique ishte pranë largimit nga PSG para sezonit historik

- Bota Sot

Campos: Enrique ishte pranë largimit nga PSG para sezonit historik

Drejtori sportiv i Paris Saint-Germain, Luis Campos, ka zbuluar se trajneri Luis Enrique ishte shumë pranë largimit nga klubi parisien përpara sezonit historik të kaluar, në të cilin PSG fitoi katër trofe.

Parizienët triumfuan sezonin e kaluar në të gjitha garat kryesore, përfshirë Ligën e Kampionëve dhe Ligue 1, duke shënuar një nga edicionet më të suksesshme në historinë e klubit.

Megjithatë, sipas Campos, gjithçka mund të kishte marrë një tjetër drejtim. Në një intervistë për “Marca”, ai tregoi se Luis Enrique vendosi kushte shumë të qarta për të vazhduar projektin e tij në Paris.

“Në fund të sezonit të tij të parë, ai më tha: ‘Luis, ose e rrisim nivelin e stërvitjes së përditshme, me lojtarë që janë në formën e tyre maksimale, ose unë largohem’,” ka deklaruar Campos.

Ai shtoi se pikërisht kjo kërkesë ndryshoi qasjen e klubit në ndërtimin e skuadrës dhe në politikat e transferimeve.

“Sot, kur dua të nënshkruaj me një lojtar që na intereson, gjëja e parë që i them është: ne i njohim shumë mirë cilësitë e tua, por nëse nuk stërvitesh çdo ditë në nivelin më të lartë, mund ta harrosh edhe një minutë loje. Kjo është e vërteta,” përfundoi Campos.

Këto standarde të vendosura nga Luis Enrique rezultuan vendimtare për suksesin historik të PSG-së në sezonin e kaluar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot