Chivu i ‘frikësohet’ Bodo/Glimtit

- Bota Sot

Chivu i ‘frikësohet’ Bodo/Glimtit

Trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka reaguar pas shortit të “play-offit” të fazës me eliminim direkt në Ligën e Kampionëve, që i vuri “Nerazzurrët” përballë Bodø/Glimt, duke i cilësuar si “një kërcënim për klubet e mëdha”.

Inter do të përballet me Bodø/Glimt në “play-offin” e Ligës së Kampionëve. Gjigantët e Serie A do ta luajnë ndeshjen e parë jashtë fushe më 18 shkurt në orën 21:00, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet në “San Siro” më 24 shkurt, po në orën 21:00.

“Çdo ndeshje e Ligës së Kampionëve sjell sfidat e veta,” tha Chivu për faqen zyrtare të Interit.

“Bodø/Glimt e kanë dëshmuar në këtë fazë të parë se janë një kërcënim për klubet e mëdha, si në shtëpi ashtu edhe në transfertë”, shtoi ai.

Zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti, kishte folur tashmë për “Sky Sport Italia” vetëm pak minuta pas shortit në Nyon, duke siguruar se “Nerazzurrët” do të “kujdesen për çdo detaj” në përballjet e ardhshme në Ligën e Kampionëve.

Inter e mbylli fazën e ligës të Ligës së Kampionëve në vendin e 10-të, vetëm një pikë larg tetëshes së parë që siguronte kualifikim të drejtpërdrejtë në fazën e 1/8-ave.

Aktualisht, Inter kryeson tabelën e Serie A me 52 pikë, pesë më shumë se rivalët e qytetit, Milani, që ndodhen në vendin e dytë.

Ndeshja e radhës në kampionat për “Nerazzurrët” është në transfertë ndaj Cremonese, të dielën më 1 shkurt.



Lexoni të gjitha në Bota Sot