Roko Vata ka mbyllur sezonin me Uatford.
Dëmtimi para një jave ndaj Blekburn është i rëndë, pasi duhet t’i nënshtrohet operacionit dhe kështu mbyll dhe sezonin.
I gjithë problemi është në kofshën e djathtë ku Vata ishte dëmtuar për herë të parë në nëntorin e kaluar.
Vata është një ndër talentet më premtues shqiptar, dhe në moshën 20-vjeçare duhet të përballet me këtë moment të vështirë.
Vetë stafi i klubit Championship foli për këtë moment tronditës, ndërsa Vata po ashtu tha fjalën e tij.
“Jam i shkatërruar pasi ndihesha kaq mirë. Po luaja futbollin tim më të mirë dhe më të qëndrueshëm nën drejtimin e Javit para se të lëndohesha për herë të parë.
U përpoqa ta mbroja topin nga lojtari, ta shtyja dhe të shpërtheja. Stafi mjekësor ka qenë i shkëlqyer me mua. Ata më mbajtën larg pasi ndjeva se isha gati të kthehesha më shpejt sesa bëra.
Javi më mbështeti gjatë periudhës sime të parë jashtë loje dhe më bëri të ndihesha pjesë e saj edhe pse nuk mund ta ndihmoja ekipin. Ai më foli gjatë gjithë kohës dhe më mbështeti shumë kur dola dhe në dhomën e zhveshjes më pas.
E kam të qartë faktin se do të humbas pjesën tjetër të sezonit.
Do t’i mbështes djemtë dhe do ta përdor kohën për të punuar në të gjitha pjesët e trupit tim dhe në lojën time.
Dua ta përdor kohën pozitivisht dhe të kthehem për të luajtur një rol të madh në këtë klub”, u shpreh Vata.
Komenti për sulmuesin shqiptar erdhi edhe nga ana e stafit mjekësor.
“Roko ishte në formë të përsosur si fizikisht ashtu edhe mendërisht para dëmtimit të shtunën.
Ai kaloi me sukses të gjitha testet fizike që kishim në dispozicion, përveç një procesi të kontrolluar dhe progresiv të riintegrimit me ekipin, të rënë dakord në çdo kohë me stafin e trajnerëve të Javit.
Është një proces bashkëpunues dhe komunikimi me stafin e trajnerëve është i një niveli të lartë.
Ka disa veprime në lojë që janë shumë të vështira për t’u kontrolluar, siç është ajo që i ndodhi Rokos kur u lëndua përsëri.
Na vjen shumë keq që Roço është lënduar përsëri sepse ka bërë një punë fantastike gjatë rehabilitimit të tij, por kjo është pjesë e futbollit dhe ne duhet të jemi të përgatitur për të kapërcyer këto situata”, tha Daniel Salazar që drejton stafin mjekësor te Uatford.
Për dëmtimin e Vatës tha fjalën e tij edhe trajneri i Uatford.
“Jemi të zhgënjyer me lajmet për Rokon. Ai punoi shumë për rikuperimin e tij dhe unë gjithmonë i besoj lojtarit dhe stafit të shkëlqyer mjekësor kur thonë se janë gati.
Jemi të trishtuar për Rokon dhe ai e di se ka mbështetjen time të plotë në rikuperimin e tij.
Kemi shumë mundësi në këtë pozicion dhe tani u takon të tjerëve të tregojnë në stërvitje se janë gati. Do të na duhen të gjitha”, u shpreh trajneri Javi Garsia.