Trajneri i kundërshtarit të Dritës zyrtarizohet te Frankfurti

- Bota Sot

Trajneri i kundërshtarit të Dritës zyrtarizohet te Frankfurti

Tashmë ish-trajneri i kundërshtarit të Dritës në Ligën e Konferencës, NK Celje, Albert Riera është zyrtarizuar te Eintracht Frankfurti në Bundesliga.

Ai është zyrtarizuar te klubi gjerman, pasi ky i fundit e shkarkoi trajnerin paraprak, Dino Toppmoller, pas 121 ndeshjesh.

Sipas “Kicker”, klubi i Bundesligës ka negociuar me sukses tarifën e kërkuar prej 5 milionë eurosh nga klubi slloven i Rieras, NK Celje, duke e ulur atë në më pak se 1 milion euro.

Riera do të qëndrojë në stol për ndeshjen e Celje në PrvaLiga këtë të diel.

Eintracht konfirmoi se Riera kërkoi një ndeshje të fundit me klubin e tij të mëparshëm.

Prezantimi zyrtar i tij te SGE është planifikuar për të hënën, ku do të ketë mundësi për t’u parë sesi trajneri i ri do të përballet me gazetarët gjermanë.

Deri atëherë, klubi do të drejtohet nga trajneri i përkohshëm, Dennis Schmitt.

“Me Albert Riera kemi zgjedhur me qëllim një trajner që përfaqëson futboll modern dhe sulmues intensiv,” tha Markus Krösche, anëtar i bordit për sportin.

“Ai ka përvojë ndërkombëtare, një filozofi të qartë loje dhe një qasje të qartë ndaj punës së përditshme me ekipin. Na impresionoi me profesionalizmin dhe aftësitë e tij të komunikimit.

Ne jemi të bindur se ai do të përshtatet mirë me kërkesat e Eintrachtit, si afatshkurtër ashtu edhe afatgjatë, dhe se është i përshtatshëm edhe në nivel personal për klubin dhe skuadrën.”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Drita do të përballet me Celjen më 19 shkurt në “Fadil Vokrri”, teksa ndeshja e kthimit luhet në Slloveni me 26 shkurt. Kjo përballje luhet në kuadër të “play-offit” në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Konferencës, pasi Drita përfundoi në vendin e 20-të në fazën e ligës, dhe Celje përfundoi në vendin e 13-të.



Lexoni të gjitha në Bota Sot