Rodri nuk arriti t’i mbante emocionet, duke kritikuar ashpër arbitrin pas barazimit 2:2 të Manchester City ndaj Tottenham Hotspur.
Në ndeshjen e fundit të së dielës mbrëma, Manchester City udhëtoi drejt Londrës për t’u përballur me një Tottenham të dobësuar nga kriza e lëndimeve, që detyroi mungesën e nëntë lojtarëve të ekipit të parë.
Për këtë arsye, City hyri në ndeshje si favorit i madh, pavarësisht se Spurs kanë qenë një kundërshtar i vështirë për skuadrën e Pep Guardiolës vitet e fundit.
Fillimisht dukej se mysafirët po shkonin drejt një fitoreje të qetë, pasi golat e Rayan Cherki dhe Antoine Semenyo i kaluan në epërsi para pushimit.
Megjithatë, Tottenham reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të barazojë rezultatin në 2-2, gjë që nuk e la të kënaqur kapitenin e Cityt, Rodri.
Spurs u rikthyen shpejt në lojë, kur sulmuesi Dominic Solanke detyroi një gabim nga mbrojtësit Abdukodir Khusanov dhe Marc Guehi, me këtë të fundit që shënoi autogol.
Pas ndeshjes, Rodri argumentoi se arbitri Robert Jones nuk duhej ta kishte pranuar golin, duke pretenduar se Solanke e kishte faulluar Guehi duke e goditur në pjesën e pasme të këmbës.
“Jemi të frustruar sepse faulli është shumë i qartë, ai e goditi këmbën,” tha Rodri.
“Duhet t’u kushtojmë vëmendje këtyre detajeve të vogla, përndryshe gjithçka bëhet e vështirë, sepse kjo ligë vendoset nga detajet”, shtoi ai.
Me Arsenalin që fitoi ndaj Leeds United të shtunën, epërsia e tyre në krye të Premierligës tani është rritur në gjashtë pikë, duke dëmtuar shpresat e Cityt për rikthimin e titullit. Megjithatë, Rodri theksoi se rezultati nuk do të ketë ndikim vendimtar.
“Nuk është dëmtuese. Ne prisnim të fitonim këtu, por do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund, sepse kjo është identiteti ynë,” u shpreh ai.
“Por duhet të jemi të drejtë në këto situata.
Nuk është vetëm një gabim, sepse të gjithë mund të gabojnë, por dy, tre, katër herë radhazi nuk është e mundur.
Nuk po them që niveli i arbitrimit është i keq, përkundrazi është i lartë, por këto veprime të vogla bëjnë diferencën dhe sot, fatkeqësisht, e bënë”, vazhdoi ai.
Manchester City do të presë Newcastle United për ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Carabao Cup të mërkurën, përpara udhëtimit në “Anfield” për t’u përballur me Liverpoolin të dielën pasdite.