Barcelona ka bërë një hap të rëndësishëm

- Bota Sot

Barcelona ka bërë një hap të rëndësishëm

Barcelona ka bërë një hap të rëndësishëm drejt rikthimit në qendër të vëmendjes europiane, duke paraqitur zyrtarisht kandidaturën për të pritur finalen e Champions League 2029 në stadiumin e saj legjendar, “Spotify Camp Nou”.

Klubi blaugrana, i cili u rikthye sezonin e kaluar të luajë në impiantin e tij  synon që punimet të përfundojnë plotësisht deri në fund të vitit 2027, duke e shndërruar “Camp Nou” në një nga stadiumet më modernë në botë. Pikërisht kjo e bën atë jo vetëm kandidat serioz për finalen e Champions 2029, por edhe një emër të fortë për të pritur finalen e Botërorit 2030.

Në një njoftim zyrtar, Barcelona konfirmoi se kandidatura është ndërtuar në bashkëpunim të ngushtë me Bashkinë e Barcelonës dhe Qeverinë e Katalonjës, me synimin që eventi të zhvillohet në kryeqytetin katalanas. Procesi ka marrë gjithashtu mbështetjen e Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), duke i dhënë aplikimit peshë më të madhe institucionale.

Sipas klubit, kandidatura ndodhet aktualisht në një fazë paraprake vlerësimi, ku do të shqyrtohen aspektet teknike dhe organizative për të bindur UEFA-n mbi përshtatshmërinë e stadiumit dhe qytetit, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Vlerësimi fillestar pritet të pasohet nga dorëzimi i dosjes përfundimtare në fillim të qershorit 2026, moment kyç që do të përcaktojë edhe shanset reale të Barcelonës për të sjellë finalen e madhe europiane në “tempullin” e saj të rinovuar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot