Jude Bellingham ka ngritur alarmin te tifozët e Real Madridit, pasi u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një dëmtimi dhe më pas publikoi në rrjetet sociale një foto ku shfaqet me maskë oksigjeni.
Pamja e mesfushorit anglez ka shtuar edhe më shumë shqetësimet për gjendjen e tij fizike.
Ylli i “Los Blancos” u dëmtua gjatë ndeshjes kundër Rayo Vallecanos.
Bellingham nuk ishte në gjendje optimale që para fillimit të takimit, teksa u pa duke u kapur disa herë pas zonës së lënduar si gjatë mbërritjes në stadium, ashtu edhe gjatë nxehjes.
Në minutën e nëntë të ndeshjes, ai ndjeu një dhimbje të fortë në kofshën e majtë dhe u detyrua të braktiste fushën.
Stafi mjekësor i Real Madridit reagoi menjëherë, duke kryer ekzaminime të detajuara, përfshirë rezonancë magnetike.
Klubi madrilen konfirmoi më pas diagnozën përmes një komunikate zyrtare: “Pas testeve të sotme të kryera nga shërbimet mjekësore të Real Madridit te lojtari ynë Jude Bellingham, atij i është diagnostikuar një dëmtim në muskulin e këmbës së majtë. Rimëkëmbja e tij do të monitorohet”.
Sipas informacioneve paraprake, Bellingham pritet të mungojë në disa ndeshje të rëndësishme, përfshirë përballjet e kampionatit ndaj Valencias, Real Sociedadit, Osasunës dhe Getafes, si edhe në ndeshjen e fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve kundër Benficës.
Megjithatë, ajo që ka shqetësuar më shumë tifozët është postimi i fundit i vetë lojtarit.
Bellingham publikoi një foto ku shihet duke përdorur maskë oksigjeni, e shoqëruar me mesazhin e shkurtër: “Jeta vazhdon”. Ky veprim ka nxitur reagime të shumta dhe spekulime mbi seriozitetin e dëmtimit.