Kjo është më e reja për Edon Zhegrovën

- Bota Sot

Kjo është më e reja për Edon Zhegrovën

E ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventusi vazhdon të jetë në pikëpyetje, por klubi torinez nuk e ka humbur besimin te anësori ofensiv i Kombëtares së Kosovës.

Sipas asaj që raporton “Calciomercato.com”, në shtëpinë bardhezi nuk vihet në dyshim cilësia teknike e lojtarit të lindur në vitin 1999, por shqetësimi kryesor lidhet me mungesën e vazhdimësisë fizike.

Pavarësisht këtyre dyshimeve, drejtuesit e Juventusit janë të prirur të vazhdojnë të investojnë te Zhegrova. Ish-lojtari i Lille pritet të qëndrojë në Torino edhe për sezonin e ardhshëm, megjithëse jo me statusin e titullarit të padiskutueshëm.

Trajneri Luciano Spalletti e vlerëson Zhegrovën si një profil të dobishëm për skuadrën, veçanërisht për aftësinë e tij për të krijuar epërsi në krahë dhe për të thyer mbrojtjet kundërshtare.

Megjithatë, kushti kryesor mbetet përmirësimi i gjendjes fizike.

Një përgatitje e posaçme gjatë verës mund të jetë çelësi që Zhegrova të gjejë formën e duhur dhe të luajë një rol më të rëndësishëm në projektin e ri të Juventusit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot