Juventusi nuk e harron Tonalin

- Bota Sot

Juventusi nuk e harron Tonalin

E ardhmja e Sandro Tonalit mbetet e lidhur me Newcastle deri në fund të sezonit, por vera mund të hapë skenarë të rinj.

Mesfushori italian është kthyer në një nga lojtarët më të vlerësuar të Premier League-s dhe ka fituar besimin e plotë të klubit anglez, edhe pas periudhës së vështirë të pezullimit.

Megjithatë, nga vera situata mund të ndryshojë. Juventusi po e ndjek me vëmendje Tonalin dhe mbetet në pritje të një mundësie konkrete.

Operacioni nuk është i thjeshtë, pasi Newcastle nuk ka ndërmend ta lëshojë lehtë dhe vlera e kartonit të lojtarit është shumë e lartë.

Gjithçka do të varet edhe nga renditja përfundimtare e Premier League dhe nga mundësia e kualifikimit të “Magpies” në kupat europiane.

Në Angli, Arsenali shihet si skuadra më e interesuar, por në janar Newcastle bëri mur. U fol për shifra shumë të larta, rreth 100 milionë euro, ndërsa agjenti i lojtarit, Giuseppe Riso, i ftohu zërat për një largim të menjëhershëm.

Te Juventusi, pista Tonali mund të bëhet reale vetëm nëse bardhezinjtë do të sigurojnë kualifikimin në Champions League, çka do të sillte edhe fondet e nevojshme për një goditje të madhe në merkato. Luciano Spalletti do të ishte i lumtur të punonte sërish me mesfushorin, të cilin e vlerëson prej kohësh nga eksperienca në Kombëtare.

Vendimi përfundimtar pritet pas sezonit. Muajt mars dhe prill do të jenë kyç, pasi do të qartësohet situata sportive e klubeve dhe do të hidhen bazat për të ardhmen e Tonalit, mes qëndrimit në Angli ose rikthimit të mundshëm në Itali.



Lexoni të gjitha në Bota Sot