Tajani: Italia investon fuqishëm në diplomacinë sportive përmes Milano–Kortina 2026

- Bota Sot

Tajani: Italia investon fuqishëm në diplomacinë sportive përmes Milano–Kortina 2026

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, ka deklaruar se Italia po investon me vendosmëri në diplomacinë sportive, duke e konsideruar atë një shtyllë të rëndësishme të veprimit ndërkombëtar të vendit, me në qendër Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Kortina 2026.

Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat po mbahen në Itali, sipas Tajanit, përbëjnë një ngjarje globale madhore, e cila do të sjellë në Itali rreth 3.500 sportistë nga mbi 90 vende të botës, të angazhuar në 304 gara sportive.

Në këto lojëra, pritet një audiencë globale prej rreth tre miliardë njerëzish, ndërsa në ceremoninë e hapjes marrin pjesë afërsisht 50 krerë shtetesh dhe qeverish.

Sipas Tajanit, Milano–Kortina 2026 nuk do të jetë vetëm një ngjarje sportive, por edhe një projekt zhvillimi, inovacioni dhe vizioni për të ardhmen. Me një ndikim ekonomik të vlerësuar në 5.3 miliardë euro, Lojërat pritet të lënë trashëgimi të qëndrueshme në infrastrukturë dhe zhvillim territorial, duke forcuar njëkohësisht pozicionimin ndërkombëtar të Italisë përmes soft poëer-it.

Për herë të parë në histori, Lojërat Olimpike Dimërore do të organizohen në formë të shpërndarë, me dy qytete simbol – Milano dhe Kortina – si dhe me përfshirjen e rajoneve Lombardia, Veneto dhe Trentino-Alto Adixhe, të bashkuara nga një vizion i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Sistemi organizativ i Lojërave parashikon angazhimin e rreth 18.000 vullnetarëve dhe krijimin e një Task Force diplomatike të dedikuar, duke përfshirë institucione, komunitete vendore dhe funksionarë të rinj. Ky angazhim, sipas Tajanit, dëshmon aftësinë e Italisë për të organizuar me sukses ngjarje të përmasave globale.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, përgatitjet për Lojërat janë shoqëruar me një strategji të integruar, e cila ka nisur dy vite më parë me krijimin e “Zyrës për Diplomacinë Sportive” dhe është zhvilluar përmes një turneu prezantues ndërkombëtar në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azi. Kjo strategji ka përfshirë sportistë, media dhe ndërmarrje, me synimin për të promovuar territoret pritëse dhe për të forcuar imazhin e Italisë si vend inovator, i qëndrueshëm dhe mikpritës.

Në komunikatë theksohet se Lojërat kanë qenë pjesë e nismave të shumta ndërkombëtare, përfshirë Expo Osaka 2025, forumet e biznesit jashtë vendit dhe Ditën e Sportit Italian në Botë.

Tajani nënvizoi se Lojërat Olimpike përfaqësojnë vlera universale si paqja, respekti dhe përfshirja, duke rikujtuar se Italia ka mbështetur miratimin e Rezolutës së OKB-së për armëpushimin olimpik, të mbështetur edhe nga Ati i Shenjtë dhe Presidenti i Republikës.

Në një kontekst ndërkombëtar të shënuar nga konflikte dhe kriza humanitare, Italia, sipas Tajanit, vazhdon të angazhohet në planin diplomatik dhe humanitar, përfshirë përpjekjet për paqe në Ukrainë dhe Gaza, si dhe ndihmën për vendet e prekura nga konflikte më pak të dukshme, si Sudani.

Në këtë kuadër, Milano–Kortina 2026 përfaqëson një rast të veçantë për të rikonfirmuar rolin e Italisë si ndërtuese e paqes, rritjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke e shndërruar sportin në një mjet dialogu dhe shprese për botën.



Lexoni të gjitha në Bota Sot