Adriano është rikthyer për pak çaste në shtëpinë e tij të vjetër.
Ish-sulmuesi legjendar brazilian ka bërë një vizitë tek Interi, duke takuar Cristian Chivu-n dhe ambientin zikaltër, në kuadër të qëndrimit të tij në Milano për Lojërat Dimërore.
Klubi zikaltër ka publikuar në rrjetet sociale disa foto nga takimi mes dy ish-shokëve të skuadrës, të shoqëruara me mbishkrimin “një rikthim i veçantë’, duke ngjallur nostalgji te tifozët. “Perandori”, siç njihet Adriano, u prit me shumë ngrohtësi dhe pati rastin të takonte edhe lojtarët aktualë të ekipit.
Gjatë vizitës, braziliani u ndal për të përshëndetur skuadrën dhe stafin, ndërsa një moment i veçantë ishte takimi me Marcus Thuram, të cilit Adriano i dhuroi një autograf në fanellë. Një gjest simbolik mes dy sulmuesve, që lidh të shkuarën e lavdishme me të tashmen e Interit.
Vizita e Adrianos u konsiderua si një moment emocional për klubin dhe tifozët, të cilët ende e kujtojnë me nostalgji periudhën kur “Perandori” ishte një nga figurat kryesore të suksesit zikaltër.