Drita e Gjilanit, kampion në fuqi i Kosovës, është gati për sfidën e javës së 19-të të elitës së futbollit të Kosovës. Drita udhëton nesër në Ferizaj për fitore dhe të jetë sa më afër kreut të tabelës.
Ferizaj është kundërshtari i tyre dhe një sfidë shumë e vështirë.
Drita aktualisht është në vend të katërt me 29 pikë e Ferizajt në të nëntin me 19 sosh.
Kryetrajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, tha se është përballje mjaft e vështirë:
"Në përballjen e radhës jemi të fokusuar në objektivin tonë por e kemi parasysh kundërshtarin dhe fushën në Ferizaj por mendoj se ne jemi të gatshëm në aspektin psikologjik mjaft mire dhe atë fizikisht jo 100% për shkak që në faza përgatitore nuk mund të arrish pa ndeshje kampionale qëllimin kryesor, ndeshja dhe fusha janë të vështira por me përgatitjen ne Antali dhe angazhimin e secilit futbollist do ta arrijmë qëllimin.
Ne kemi bërë një lëvizje të mirë me prurje të reja si Florent Ramadani dhe jam i bindur se i duhet secilit pak deri te ambientohet por me angazhimin e të gjithve do jenë ardhmëria e ekipit tonë gjithashtu edhe Oniksi një frymë e re e ekipit tonë".
Ramadani thotë se ndeshja e nëserme (13.00) është njësoj si Superkupa e Kosovës. Synimi i tyre është i qartë, fitorja.
“Ndeshja e nesërme për ne është e njëjtë sikur Superkupa duhet ta vlerësojmë ndoshta edhe më teper, duhet ta marrim sa më me seriozitet për të arritur objektivin. Kemi konkurrencë të duhur në çdo repart dhe besoj që jemi të gatshëm.
Gara për titull është gjithmonë e vështirë edhe nëse kanë bërë përforcime apo jo, nuk do të thotë që janë bërë më të vështirë sepse edhe ata dojnë kohën e vet, por deri më tani na kanë befasuar vetëm ekipi që do të përballemi nesër por ne jemi Drita dhe e dim se me çfarë dhe se si të përballemi për të arritur si gjithmonë objektivin tonë", tha Ramadani.