Si erdhi topi i parë në Kosovë, rrëfimi që pak kush e di

- Bota Sot

Si erdhi topi i parë në Kosovë, rrëfimi që pak kush e di

Pak kush në Kosovë e ka ditur kur nisi të luhet futbolli në vendin tonë.

Edhe më të rrallë janë ata që e dinë se kush e solli topin e parë të këtij sporti.

Por, ky detaj unik nuk i iku zyrtarit të FIFA-s, Rolf Tanner.

Ai ishte caktuar të vijë në kuvendin zgjedhor të FFK-së dhe vendosi të përgatitet mirë për fjalimin që do ta mbante.

Derisa hulumtonte për historinë e futbollit në Kosovë, zbuloi kush dhe kur e solli të parin top këtu.

Tanner: Futbolli në Kosovë filloi të luhej para 100 viteve

Futbolli në Kosovë luhet që një kohë të gjatë. Ju jeni anëtar të FIFA-s që nga 10 vjet, por po bëja pak kërkim kohëve të fundit, më pëlqen të hulumtojë se kur ka filluar futbolli të luhet në një shtet. Çfarë zbulova është se futbolli filloi të luhej në nivel fillestar para 100 viteve, kur një student nga Franca solli një top në Prishtinë kur fëmijët filluan të luajnë në nivel amator”, tha ai.

Sipas tij, edhe klubet e para u themeluan në Prishtinë dhe rreth saj, pak vite pas ardhjes së topit të parë në Kosovë.

“Pra, ju keni luajtur para 100 viteve, është një arritje. Ju nuk keni pritur për anëtarësinë e FIFA-s ose UEFA-s, ju keni luajtur që një kohë të gjatë. Njerëzit në Kosovë janë të pasionuar pas futbollit, nuk është surprizë. Futbollistët e Kosovës kanë pasur ndikim jashtë shtetit të tyre”, theksoi Tanner.

Ish-komentatori dhe autori i disa librave për historinë e futbollit kosovar, Azem Brovina, thotë për KosovaPress, se nuk ka dokumentacion që e vërteton hipotezën e Tanner, por e pranon se edhe hulumtimet e tij thonë se viti 1919 përmendet si datë e ardhjes së topit të parë në Kosovës dhe se ai u soll nga një grup studentësh nga qyteti Grenoble i Francës.

Brovina: Nuk ka shumë dokumente por 1919-ta përmendet si vit i ardhjes së topit të parë në Kosovë

Po ky është i vetmi shënim, e vetmja datë që përmendet, sepse në futbollin e Kosovës nuk ka shumë dokumente të asaj kohe kur ka ardhur topi i parë, kur janë formuar klubet e para. Kështu që data 1919 është data kur përmendet se disa studentë që kanë studiuar në Francë, në qytetin e Grenoble, e kanë sjellë një top dhe ajo merret si topi i parë që ka ardhur në Kosovë, e kanë sjellë në Prishtinë”, tha ai.

Brovina thekson se klubet e para të futbollit në vend janë krijuar para Luftës së Dytë Botërore. Klubi i “Prishtinës” u bë i pari, më 1922, ndërsa më pas lindën edhe “Vllaznimi”, më 1927 dhe “Trepça”, më 1932.

Brovina: Prishtina është klubi i parë i formuar në Kosovë

“Para Luftës së Dytë Botërore, sepse janë datat e klubeve kur janë formuar, për shembull Prishtina figuron 1922, edhe disa klube të tjera, Trepça 32-shin, Vllaznimi 1927. Mirëpo këto kanë qenë si shoqëri sportive, kulturore, kanë luajtur herë pas here, por garat e organizuara të futbollit nuk ka pasur. Garat e organizuara të futbollit në Kosovë fillojnë mbas Luftës së Dytë Botërore, prej vitit 1945 dhe deri tani. Kampioni i parë ka qenë Jedinstvo i Prishtinës, ashtu është quajtur atëherë, bile dy herë me radhë dhe pastaj të tjerat”, thotë Brovina.

Ndeshjet, në atë kohë, sipas Brovinës luheshin në fusha të improvizuara. Një tjetër problem madhor sipas tij, ishte mungesa e kuadrove të kualifikuara, e në radhë të parë trajnerëve, të cilët, sic thotë, në shumë raste duhej të “importoheshin” nga vise të tjera të rajonit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot