Interi po e ndjek me vëmendje Tarik Muharemoviqin dhe e ka vendosur në krye të listës së përforcimeve për repartin e mbrojtjes.
Mbrojtësi i Sassuolos konsiderohet një nga qendërmbrojtësit më interesantë të kampionatit dhe profili i tij përputhet me strategjinë e zikaltërve për të investuar te lojtarë të rinj me perspektivë.
23-vjeçari, boshnjak i lindur në Lubjanë, ka bindur për agresivitetin, personalitetin dhe lidhjen me tifozët, ndërsa rrugëtimi i tij ka qenë i pazakontë: nga Serie C me U-23, te disa paraqitje në elitën austriake, deri te roli i titullarit te Sassuolo, me të cilin sezonin e kaluar siguroi ngjitjen në Serie A.
Çmimi i kartonit të tij vlerësohet mes 25 dhe 30 milionë eurove, ndërsa Juventusi ruan një klauzolë prej 50 për qind në rast të rishitjes. Interi synon të lëvizë shpejt për të marrë avantazhin dhe për ta mbyllur operacionin përpara konkurrencës.