Rubrika “Legjendat flasin” sjell këtë herë rrëfimin e Alban Bushit, një prej figurave më të njohura të futbollit shqiptar, i cili rikthehet në rrugët e fëmijërisë, aty ku nisi gjithçka.
Nga lojërat pa orar në lagje te stadiumet e mbushura dhe fanella kuqezi, Bushi ndan historinë e një rrugëtimi të ndërtuar me pasion, sakrificë dhe dashuri të pakushtëzuar për futbollin.
Në këtë intervistë për FSHF.org, në kuadër të rubrikës “Legjendat Flasin”, ai flet për hapat e parë me Tiranën, debutimin e paharrueshëm me gol në derbi, përvojat në kampionate të forta europiane, por edhe për emocionet e veçanta që i ka dhuruar Kombëtarja.
Një rrëfim i sinqertë që ndërthur kujtimet personale me reflektimet profesionale, duke sjellë jo vetëm historinë e një karriere të gjatë, por edhe vizionin e një legjende që vijon t’i shërbejë futbollit shqiptar, tashmë në rolin e trajnerit të Kombëtares shqiptare U-21.
Fillimet & fëmijëria
– Jemi në rrugët ku je rritur dhe në lagjen ku je formësuar. Çfare kujtimesh të rikthen ky vend sot?
Më jep shumë emocion. Sapo erdha u ndjeva shumë i emocionuar sepse këtu kam banuar.
Kjo është hyrja ime, aty është shtëpia. Këtu nuk ka qenë siç është sot, ka qenë park, lulishte. Luanim të gjithë ditën futboll. Sidomos fundjavave luanim nga mëngjesi e deri në darkë. Këtu kam hedhur hapat e parë dhe kam formuar karakterin tim si futbollist.
Në ekipin ku luajta, te Tirana, bënim stërvitje 1, ose 1 orë e gjysmë në ditë kurse këtu luanim 6-7 ditë me shokët. Luanim 2 kundra 2 ose 1 kundra 1, që më ka bërë të koordinohem goxha, të isha sa më mirë në mënyrën se si shprehesha në ekipin ku luaja. Kanë qenë emocione shumë të bukura.
Fëmijëria është gjëja më e bukur e jetës. Këtu kemi mësuar të mos dorëzohemi, të mos mërzitemi, të qeshim, të gëzojmë, të qajmë. Por duke i bërë gjërat me shpirt dhe me dashuri për lojën që luanim.
– Nga erdhi pasioni për futbollin? Kur e kuptove se ky sport nuk ishte thjesht lojë për ty?
Pikërisht këtu. Në moshën 10-11 vjeç kuptova që e doja shumë futbollin. Kuptova gëzimin e fitores, emocionin e golit dhe aty mendova që nuk është thjesht një aktivitet, por një pjesë e pandashme e jetës time, siç edhe ka qenë.
– Nëse nuk do ishe bërë futbollist, çfarë mendon se do ishe bërë?
Më pëlqen këngëtar, ose t’i bie kitarës. E di që jam shumë larg, por më pëlqen dhe mbase me punë mund t’ia arrija. Edhe me futbollin, duke u stërvitur fort, arrita aty ku mendoj që kam bërë mirë në karrierën time.
Hapat e parë & futbolli shqiptar
– Tirana dhe debutimi me skuadrën me gol në derbin kundër Dinamos
Pjesë e Tiranës u bëra nëpërmjet shkollës. Këtu ka qenë shkolla “Shyqyri Peza”, ku unë kam bërë 8-vjeçare.
Ka qenë klasë sportive. Faktikisht nguli këmbë shumë mami për të shkuar në një klasë sportive sepse ishte e vështirë.
Ata zgjidhnin vetëm 10 çuna, por me disa njohje të mamit, u bëra pjesë e klasës sportive. Sot ia di për faleminderit dhe i jam mirënjohës Fusha ku jemi aktualisht sot, që ka qenë një fushë futbolli, përpara ka qenë fushë e zezë dhe ne stërviteshim 2 orë në ditë paradite.
Në moshën 15-16 vjeçare kalonim më pas te pionierët e Tiranës me profesorë Maks Ndroqin dhe Bujar Lubanin.
Pastaj te para të rinjtë, te të rinjtë dhe më pas tek ekipi i Tiranës. Tek ekipi i parë ka ngulur këmbë profesori i ndjerë Fatmir Frashëri, të cilit i jam mirënjohës dhe falënderues.
Po ashtu edhe profesor Sulejman Memës dhe Millan Baçit sepse në një moshë shumë të re, 17 vjeç e 2-3 muaj më morën tek ekipi i parë. Ishte derbi Tirana – Dinamo, një nga ndeshjet më të mëdha të asaj kohe, me një stadium të mbushur plot e përplot. Ishte një nder shumë i madh për mua të isha në stërvitje me ta, me Agustin Kolën, me Arben Mingën etj. E shihja si të pamundur, ëndrra ime ishte e madhe për të luajtur me ta.
Dhe vjen një moment, minuta 75’, ndeshja ishte 1-0 për Tiranën dhe profesor Fatmiri më thotë çohu dhe futu në ndeshje. Sa u futa në ndeshje, ka krosuar Flor Riza nga e djathta dhe unë i shënova gol Ilir Bozhiqit dhe barazuam ndeshjen. E mbaj mend si tani atë gol, ka qenë një moment shumë i bukur për mua. Unë e kisha ëndërr të rrija t’i shikoja ata, jo më të luaja dhe të shënoja gol për atë ekip. Pas golit, unë jam gëzuar shumë dhe kam vrapuar në fushë. Thjesht vrapoja nga gëzimi i golit, nuk isha në gjendje ta kuptova se çfarë kisha bërë.
Karriera jashtë vendit
– Ke luajtur në Hungari, Gjermani, Turqi, Bullgari dhe Greqi. Cila ka qene eksperienca më e veçantë dhe ku je ndjerë me i plotësuar si futbollist?
Transferimet e mia jashtë kanë qenë të vështira. Sidomos Hungaria dhe Gjermania. Ne shkuam për një miqësore që Tirana kishte me ekipin e Szeged në Hungari. Faktikisht, një i njohur i mirë i gjuhës hungareze që punonte në Ambasadën Hungareze, njihte këtë ekip dhe na çoi për të bërë një miqësore atje.
Nuk ishte e lehtë që të bënim miqësore jashtë. Ikëm me autobus aty. ai i kishte sugjeruar ekipit të Szeged, Artur Maxhunin që ta blinin. Kam luajtur vetëm 20 minuta në atë ndeshje dhe kam dalë me karton të kuq. Pas ndeshjes Presidenti i tyre tha që dua atë lojtarin që doli me karton të kuq.
në u habita në fakt sepse nuk isha përgatitur dhe nuk e besoja që do më kërkonin.
Por presidenti më kishte pëlqyer për ato minuta që kisha luajtur. Ka qenë një moment shumë i vështirë dhe për mua, sepse ata ikën me autobus për në Tiranë ndërsa unë qëndrova aty. ishte një moment shumë i vështirë për mua. Kam qarë shumë sepse ishin vitet 90’, larg familjes, isha vetëm 18 vjeç.
Pastaj aty nisa të ambientohesha, luajta goxha. Pothuajse një vit, por kishte momente edhe të vështira. Nga ana financiare, unë merrja një rrogë prej 200 dollarësh dhe nuk dilnin deri në fund të muajit.
Është një sakrificë që mendoj se e kanë bërë të gjithë në atë kohë. Por me ëndrrën dhe qëllimin për t’u bërë një futbollist i mirë dhe për të luajtur një ditë me Kombëtaren. Nuk më ka munguar vetëbesimi, sepse më parë ne shqiptarëve na shikonin ndryshe, jo si tani.
Pastaj kalova në Gjermani. Ne luajtëm përballë U-21 të Gjermanisë dhe më pas u arratisëm drejt Gjermanisë, me disa çuna të tjerë.
Nuk ishte gjë e mirë nga mua sepse e lashë klubin tim në Hungari pa i lajmëruar ata, por ata nuk u ankuan.
Në Gjermani u regjistrova në kapanone për azilantë dhe flinim 10-15 veta në dhomë. Ka qenë periudhë e vështirë sepse duhet ta filloja prapë nga e para.
Për të kapur majat e futbollit gjerman, duhet të luaje me kategoritë më të ulëta. Unë zgjohesha shumë herët dhe stërvitesha dhe mendoja Altin Rrakllin, i cili luante në Bundesligën gjermane. Një nga lojtarët e parë shqiptarë që luante në këto nivele. Dhe thoja që derisa u bë ai që është shqiptar dhe është shoku im, pse mos të bëhem edhe unë.
– Maja e karrierës tënde ishte ne Turqi, me Trabzonspor, por edhe me Adanaspor e Istanbulspor. Çfare e beri atë periudhë kaq të veçantë?
Përpara se të shkoja në Turqi, unë isha me Litex në Bullgari. Ekipi i Litexit më bleu në Greqi asokohe dhe transferoi 16 lojtarë nga disa vende të Ballkanit. Unë shkova bashkë me Altin Haxhin dhe për dy vjet dolëm kampionë të Bullgarisë. Dola dhe golashënues me këtë ekip, fitova dy tituj kampion dhe luajtëm edhe në Champions League.
Më pas më shitën tek Adanaspor. Ishte një nivel tjetër futbolli në Turqi. Një kampionat më i organizuar, më profesionist. Më pas kalova tek Istanbulspori, ku shënova 10-15 gola në kampionat dhe pas kësaj më bleu Trabzonspor, që ishte niveli më i lartë ku unë kam luajtur futboll. Megjithëse nuk bëra mirë, sepse u dëmtova dhe nuk arrita të bëja performancën time më të mirë.
Por, aty ndiheshe vërtetë futbollist sepse niveli i kampionatit turk ishte vërtetë shumë i mirë. Konkurrenca ka qenë shumë e madhe. Për të hyrë në formacion, kishte 4-5 sulmues të fortë dhe duhet t’i mposhtje ata për të pasur një vend në formacion. Futbolli do sakrificë, besim. Duhet të besosh që t’ia dalësh.
– Atletico Madrid dhe Borussia Dortmund janë dy ekipe që shpesh i përmend. Janë ekipet e zemrës për shkak se mbeti peng fakti që nuk luajte dot për to?
Këto dy ekipe kanë qenë të zemrës kur unë kam qenë në Gjermani. Shikoja Dortmundin dhe më pëlqente shumë. Më pëlqente të luaja me ata. Por u transferova në kampionat tjetër dhe ishte një gabim i menaxhimit tim në atë kohë. Në atë kohë vendosja vetë, nuk kisha njerëz që të më këshillonin.
Dhe në një moshë të re, edhe mund të gabojë njeriu. Kurse Atletico Madrid më ka pëlqyer shumë tifozeria e tyre. Edhe te Borussia Dortmund e njëjta gjë.
Kthimi & mbyllja e karrierës
– Në Shqipëri ke luajtur me Tiranën, Flamurtarin dhe Dinamon, por debutimin dhe mbylljen e karrierës i ke bërë me Tiranën. Sa domethënëse është kjo per ty?
Tirana ishte, është dhe do të jetë në zemrën time gjithë jetën. Është ekipi ku unë u rrita dhe u bëra ky që jam sot. Po ashtu edhe te Flamurtari jam ndjerë shumë mirë, pavarësisht se luajta pak me këtë ekip. Edhe te Dinamo pak kohë. Por Tirana mbetet e veçantë. Aty ku e fillova doja edhe ta mbyllja faktikisht. Do t’i jem gjithë kohës mirënjohës Tiranës.
– Pas gati dy dekadash si futbollist, a ke pengje nga karriera jote?
Pengje kam. Do të doja ta kisha menaxhuar më mirë veten, të kisha pasur një menaxher për të më këshilluar, pasi kemi vendosur vetë. Po ashtu, më vjen keq më shumë sesa peng që u dëmtova në momentin tim më të mirë kur kalova te Trabzonspor.
Më blenë për shumë para, u dëmtova dhe nuk lashë gjurmë te ky ekip. Nuk arrita të isha në formën time më të mirë.