Pavarësisht negociatave të ndryshme, Kremlini mbetet i palëkundur në dëshirën e tij për luftë dhe pushtime. Problemet ekonomike të Rusisë janë ndoshta leva më e rëndësishme për ti dhënë fund sulmeve ndaj Ukrainës. Brenda vendit, thuhet gjithashtu se shqetësimet po rriten.
Sanksionet perëndimore dhe çmimet e ulëta të naftës që rezultuan prej tyre, së bashku me sulmet ukrainase dhe veprimet e SHBA-së kundër kompanive të naftës Rosneft dhe Lukoil, kanë gërryer të ardhurat e Rusisë. Kjo është tashmë një barrë e madhe për Kremlinin. Dhe probleme të mëtejshme do të shfaqen nëse India, një nga klientët e saj kryesorë, ndalon së bleri naftën ruse, pas presionit nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump .
Për më tepër, Komisioni i BE-së planifikon një ndalim gjithëpërfshirës të shërbimeve detare për anijet cisternë që transportojnë naftë bruto ruse, si pjesë e paketës së 20-të të sanksioneve. Kjo përfshin shërbime të tilla si sigurimi, financimi, certifikimet dhe shërbimet portuale. Rusia do të përballet më pas me vështirësi dukshëm më të mëdha në eksportimin e naftës nga deti, pasi një pjesë e madhe e këtyre shërbimeve aktualisht ofrohet nga kompani perëndimore - përfshirë ato evropiane.
Një burim nga Washington Post, i informuar nga zyrtarët financiarë rusë tha se ata po e paralajmëronin Presidentin rus Vladimir Putin, me informacione gjithnjë e më urgjente, për një krizë të mundshme ekonomike më së largu deri në verë.
Sipas zyrtarëve të financave, rënia e të ardhurave mund të nënkuptojë që deficiti buxhetor do të rritet edhe më tej, pa rritje shtesë të taksave. Presioni mbi sistemin bankar rus po rritet gjithashtu, nga shkaku i normave të larta të interesit dhe kredive të detyruara për kompanitë e nevojshme, për të financuar luftën në Ukrainë.
Fondet e pasurisë po shterrohen
Kriza mund të godasë brenda "tre ose katër muajsh", tha një biznesmen nga Moska për Washington Post. Ka shenja se inflacioni real është shumë më i lartë se gjashtë përqindëshi i raportuar zyrtarisht, edhe pse normat bazë të interesit po mbahen në një nivel të lartë prej 16 përqind.
Biznesmeni përmend numrin më të lartë të mbylljeve të restoranteve në Moskë, që nga pandemia dhe shkarkimin e mijëra punëtorëve për shkak të rritjes së kostove, si tregues të presionit në rritje mbi ekonominë.
Shteti rus tashmë po përballet me probleme të mëdha. Gazeta "Bild" raportoi disa ditë më parë, duke cituar një analizë të brendshme të qeverisë gjermane, se të ardhurat nga energjia tani përbëjnë vetëm 22 përqind të buxhetit të shtetit. Më parë, ato përbënin deri në 50 përqind.
Vladimir Putin me sa duket e ka varfëruar ndjeshëm fondin sovran të pasurisë. Nga 42 miliardë euro, thuhet se tani ka vetëm gjysmën e burimeve, që kishte në fillim të luftës. Për më tepër, raporti pohon se 40 përqind e të gjitha shpenzimeve qeveritare tani po shkojnë drejt shpenzimeve të luftës. / Burimi: ntv.de.